Sveçla, Kurti e Osmani heshtin për vdekjen e 27-vjeçarit dhe arrestimin e pesë policëve për “vrasje nga pakujdesia”
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Kryeministri në detyrë Albin Kurti e Presidentja Vjosa Osmani, ende nuk kanë bërë asnjë reagim lidhur me vdekjen në rrethana të dyshimta të një 27-vjeçari në Lipjan, për çka u arrestuan pesë policë nën dyshimin për “Vrasje nga pakujdesia”. Rasti ka nxitur reagime të shumta tek qytetarët, të cilët kanë ngritur dyshime mbi punën e Policisë.
Një 27-vjeçar ka vdekur në rrethana të dyshimta në orët e para të mëngjesit të djeshëm në Lipjan, pas arrestimit nga Policia e Kosovës.
Mbrëmjen e djeshme, janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje për 48 orë pesë policë lidhur me këtë rast. Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net se të njëjtit po dyshohen për “Vrasje nga pakujdesia”.
Ky rast ka nxitur reagime të shumta tek qytetarët, por jo edhe te krerët e shtetit. Ndonëse kanë kaluar mbi 24 orë nga rasti, Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ende s’ka bërë ndonjë reagim. Me deklaratë për këtë rast ende s’kanë dalë as Kryeministri në detyrë, Albin Kurti e as Presidentja Vjosa Osmani.
Sipas Policisë, i riu dyshohet se fillimisht në gjendje të dehur rreth orës 00:15 kishte sulmuar automjetet dhe kalimtarët në rrugën “Haradin Bajrami”. Në deklaratën e policisë, thuhej se ekipi mjekësor kishte bërë përpjekje, por që 27-vjeçari kishte ndërruar jetë.
“Sot, rreth orës 00:15, Policia ka pranuar informacionin se një person, që dyshohej të ishte nën ndikimin e alkoolit, po sulmonte automjete dhe kalimtarë në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan. Njësitë policore kanë reaguar menjëherë për të vënë situatën nën kontroll, ndërsa në vendngjarje është thirrur edhe ekipi mjekësor emergjent, i cili i ka ofruar ndihmën e parë personit në fjalë. Përkundër përpjekjeve, është konstatuar se ai kishte ndërruar jetë”, ka thënë dje Agron Borovci, zëdhënës i policisë për rajonin e Prishtinës.
Në pamjet që u publikuan më vonë në media, shihej 27-vjeçari në gjendje të rëndë pas arrestimit.
Edhe nga familja e viktimës ngritën dyshime rreth rastit.
Vëllai i tij tha se në fillim i kishin thënë se A.Z ai kishte pësuar infarkt. Madje ai shtoi se viktima kishte edhe “shenja në fytyrë sikur të kishte rrahje masive, në trup”.
Sipas tij, për vdekjen e vëllait dëgjuan versione si “infarkt e nga ndikimi i alkoolit…”, por ai thotë se “shihet qartë se është vrarë nga dora e shtetit, nga disa policë…Posedojmë video që vërehet duke bërtitë në frymën e fundit dhe e goditin në fytyrë dhe aty më nuk lëvizë”, ka deklaruar vëllai i viktimës.
Pas publikimit të pamjeve, Inspektorati Policor i Kosovës rekomandoi suspendimin e pesë policëve.
Në vonë të njëjtit u arrestuan. Të arrestuarit janë: Ibrahim Nela, Artidon Konxheli, Liridon Rrahmani, Albian Ratkoceri dhe Endrit Beqiri. Nela është rreshter në Stacionin Policor në Lipjan, Konxheli, Rrahmani dhe Ratkoceri janë zyrtarë në Stacionin Policor në Lipjan, teksa Beqiri është zyrtar në Stacionin Policor Ferizaj.
“Sot në orët e mbrëmjes, me autorizim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë janë ftuar për intervistim në IPK në cilësinë e të dyshuarve pesë zyrtarët policorë të përfshirë në këtë ndërhyrje/reagim policor (një rreshter dhe katër zyrtarë policorë). Pas intervstimit të tyre dhe pas administrimit edhe me dëshmitë e tjera që janë siguruar sot pas veprimeve hetimore, që të pesë zyrtarët policorë janë arrestuar si të dyshuar kurse me vendim të prokurorit të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, konfirmoi IPK’ja.
IPK ka thënë se në kuadër të hetimit pritet të ndërmerren edhe shumë veprime tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave lidhur me këtë incident si dhe priten edhe rezultatet e ekzaminimeve përfshirë ato mjeko-ligjore./Reporteri.net