Policia e Kosovës i ka arrestuar të hënën pesë zyrtarë të saj nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “vrasje nga pakujdesia” kur kanë ndërhyrë në një incident në Lipjan në orët e vona të mëngjesit, dhe më pas është bërë e ditur vdekja e një burri të ri, raporton Betimi për Drejtësi – medium i specializuar në fushën e sundimit të ligjit.
Arrestimi i tyre vjen pas rekomandimit të Inspektoratit Policor i Kosovës (IPK) që Policia të vendosë masën e suspendimit të përkohshëm për pesë zyrtarët policorë të përfshirë në ndërhyrje.
Policia e Kosovës ka thënë më herët gjatë ditës për mediat lokale se personi i vdekur dyshohej se ishte nën ndikimin e alkoolit dhe po sulmonte automjete dhe kalimtarë në Lipjan.
Sipas zyrtarëve policorë, në vendngjarje është thirrur edhe ekipi mjekësor emergjent i cili ka ofruar ndihmën e parë, por që përkundur përpjekjeve është konstatuar se ai ka ndërruar jetë.
Në komunikatën për media të lëshuar nga Inspektorati Policor i Kosovës është thënë se ky institucion ka nisur të mbledhë prova materiale dhe incizime të kamerave të sigurisë dhe nga telefonat mobilë, dhe që rastin do ta trajtojë si “hetim mbi vdekjen”.
“Suspendimi i tyre është masë administrative e përkohshme dhe në këtë fazë nuk paragjykon përgjegjësinë e tyre ligjore apo profesionale”, është thënë mes tjerash në komunikatë.
Pjesëtarë të shoqërisë civile kanë shprehur shqetësim për rastin dhe kanë kërkuar zbardhjen e së vërtetës.
Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi ka thënë përmes një postimi në Facebook se “mënyra se si pesë policë e menaxhuan këtë situatë më së paku mund të quhet pakujdesi dhe amatorizëm i skajshëm, 27-vjeçari vdiq në dorë të shtetit”.
Ai ka kërkuar llogari nëse policët e përfshirë në incident kishin trajnim profesional për të menaxhuar situata të tilla, dhe nëse incidenti është rezultat “i politikave të reja të Lëvizjes Vetëvendosje që policët e rinj nga shkollat e mesme të bëhen policë me një trajnim prej vetëm 12 javësh”.
Policia e Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë muaj më parë se ka më shumë se një vit që ka ndryshuar planin e trajnimit profesional të policëve të rinj – nga gjashtë muaj sa ka qenë më herët, kohëzgjatja e tij është bërë tre muaj.
Për ekspertët e sigurisë ky ndryshim ishte përshkruar si shqetësues.
Policia e Kosovës pati thënë vetëm se vendimi është marrë në përshtatje me “nevojat dhe kërkesat e saj operative”, pa ofruar më shumë hollësi.
Policët e rinj trajnohen në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të vendit.
Kjo akademi është akredituar nga Asociacioni Ndërkombëtar i Drejtorëve të Standardeve dhe Trajnimeve për Zbatim të Ligjit (IADLEST) i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Për njohësit e sistemit të sigurisë, trajnimi prej tre muajsh i policëve të rinj është larg të qenët i mjaftueshëm.
Kjo situatë, sipas tyre, është duke shkaktuar edhe probleme në terren.
Mosha e pensionimit të policëve është 65 vjeç.
Një projektrezolutë që përfshinte pensionimin e parakohshëm të tyre – e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës në opozitë në tetor të vitit 2023 –nuk u çua përpara nga Kuvendi i Kosovës.
Policët kosovarë nuk kanë as sigurim shëndetësor, as jetësor./REL