Haxhiu: Qëndrimi im për tërheqje nëse s’i marrë 61 vota është i njëanshëm, i respektuar nga VV-ja

Deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu ka reaguar pas dështimit të 43-të të seancës konstituive të Kuvendit, ku, sipas saj, deputetët opozitarë kanë refuzuar të marrin pjesë në votim, shkruan Reporteri.net.

“Kishim edhe një seancë ku sërish opozita refuzoi të marrë pjesë në votim. Ndoshta duhet të trajtohen edhe argumentet e tyre. Ata thonë që e kemi ndryshuar rendin e ditës, kjo nuk qëndron,” deklaroi Haxhiu, duke theksuar se kryesuesi i seancës i është përmbajtur rendit të ditës në përputhje me rregulloren.

Ajo shtoi se sipas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, nuk ka pasur asnjë shkelje në këtë drejtim.

“Kemi një komision që po përpiqemi ta formojmë për herë të 35-të. Është e drejta e Lëvizjes Vetëvendosje të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit. Nëse pranojmë që emri të na diktohet nga të tjerët, bie ndesh me vullnetin e popullit.”

Ajo përmendi gjithashtu se nuk ekziston një kriter kushtetues për numrin e herëve që duhet të kandidojë një emër.

“Kam thënë se nëse në votim të fshehtë nuk i kam 61 vota, tërhiqem. Ka qenë qëndrim i njëanshëm i imi, por që është respektuar nga VV.”, shtoi ajo.

Në seancën e sotme ishin të pranishëm 99 deputetë, ku vetëm 55 prej tyre votuan për, ndërsa kundër dhe abstenim s’kishte.

Seanca e radhës do të jetë pas 48 orëve.