“Demokracia nuk mund të mbijetojë nëse Ukraina nuk çlirohet tërësisht dhe agresioni rus nuk ndalet,” deklaron Xhabir Deralla, kryetar i organizatës CIVIL – Qendra për Liri, në një intervistë ekskluzive për agjencinë ukrainase të lajmeve Ukrinform, të realizuar nga redaktorja Ana Kostjushenko.
Deralla, një nga mbështetësit më të zëshëm të Ukrainës në rajonin e Ballkanit, thekson se që nga fillimi i pushtimit të plotë rus, ai ka qëndruar përkrah popullit ukrainas në mënyrë të pandërprerë. Ai tregon se është ndikuar thellësisht nga Revolucioni i Dinjitetit dhe se përvoja ukrainase kundër autoritarizmit është bërë burim frymëzimi edhe për shoqërinë civile në Maqedoninë e Veriut.
“Nuk kam humbur asnjë ditë pune për të raportuar të vërtetën për Ukrainën dhe për ta demaskuar propagandën ruse,” thekson Deralla, i cili në vitin 2023 u nderua me Urdhrin e Meritës nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Ai kujton vizitat e tij në Kiev, përfshirë pjesëmarrjen në takime me liderë të lartë dhe me qytetarë të thjeshtë, duke përmendur ndikimin emocional që pati nga qëndresa e popullit ukrainas: “Në çdo njeri që takova, pashë vullnet të pathyeshëm për liri dhe dinjitet, edhe me çmimin e jetës.”
Në intervistë, Deralla prezanton edhe iniciativat që ka themeluar së fundmi, si “Mbrojtja e Demokracisë” dhe “Unioni i Vestminsterit për Ukrainën”, përmes të cilave bëhet thirrje për ndihmë të koordinuar dhe vendime politike konkrete për mbështetje të plotë ndaj Ukrainës. Ai nënvizon se çdo hezitim i Perëndimit po kushton jetë njerëzish dhe destabilizon demokracinë në mbarë botën.
Duke folur për ndikimin e propagandës ruse në Maqedoninë e Veriut, Deralla paralajmëron për rrezikun e infiltrimit të narrativave pro-Kremlinit përmes partive politike, mediave dhe rrjeteve sociale. Ai shton se edhe pse kanalete si RT dhe Sputnik janë ndaluar, narrativat ruse vijojnë të përhapen nën forma të tjera, shpeshherë të mbështetura nga struktura të korruptuara.
“Nuk jemi fqinj me Rusinë, por jemi të ekspozuar ndaj të njëjtës luftë informative. Demokracia jonë, siguria dhe integrimi euroatlantik janë nën kërcënim të vazhdueshëm,” thekson Deralla, përcjell PressOnline.al
Në përfundim të intervistës, ai e quan “të papranueshme” idenë për paqe me Putinin, nëse ajo nënkupton lëshim territorial dhe heshtje ndaj krimeve të luftës. “Lufta për Ukrainën është luftë për të ardhmen e vetë njerëzimit,” përmbyll ai.(PressOnline.al)