Nafie Selmani: Për çfarë më ‘fituan’ disa burra?!

Në një reagim të fortë emocional dhe publik, Nafie Selmani ka denoncuar me tone të ashpra përjashtimin e saj të papritur nga lista e kandidatëve për Këshillin e Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele – një veprim që ajo e quan tinëzar, të pabesë dhe krejtësisht të padrejtë.

Selmani sqaron se aplikimin për këtë pozitë e kishte bërë me bindjen e thellë se profesionalizmi, ndershmëria dhe përkushtimi ende vlerësohen në këtë shoqëri. Ajo shpjegon se kishte kaluar çdo fazë të procesit me sukses dhe se më 29 janar ishte zyrtarisht zgjedhur si anëtare e Këshillit, duke pritur vetëm miratimin formal në seancën plenare një hap që, sipas saj, duhej të ndodhte ditë më parë.

Por gjithçka mori një kthesë të papritur, kur, siç pretendon Selmani, deputeti Bekim Qoku, në cilësinë e koordinatorit të koalicionit VLEN, kishte ndërhyrë për ta hequr atë nga lista, pa asnjë paralajmërim dhe me prapavijë të qartë politike.

“Në mënyrën më tinzare dhe qyqare, më hoqën nga lista,” shkruan ajo, duke shtuar se ndonëse do të konsultohet me juristë për pasojat ligjore, më shumë se ligji e lëndon padrejtësia dhe mënyra si u bë: “tinëzisht, në heshtje, pas shpine.”

Selmani përmend se është përpjekur të kuptojë arsyet e këtij veprimi duke komunikuar me figura kyçe të VLEN-it si Zeqirija Ibrahimi, Afrim Gashi dhe Arben Taravari. Por përgjigjet kanë qenë kontradiktore, ndërkohë që secili mundohej të shmangte përgjegjësinë dhe t’ia linte fajin tjetrit. “E vërteta është se kjo nuk nisi dje. Kjo luftë kundër meje nisi muaj më parë,” thekson ajo.

Ajo paralajmëron se do të flasë më shumë për marrëdhëniet e saj me këta individë, për “tradhtitë, mohimin dhe hipokrizinë” që, sipas saj, kanë ndodhur në prapaskenë. Nuk ka ndërmend të heshtë, jo për hakmarrje apo viktimizim, por për të paralajmëruar publikun për manipulimet dhe mashtrimet që mund t’i ndodhin edhe të tjerëve.

Në fund të reagimit, ajo shpreh edhe një ndjenjë të thellë zhgënjimi personal ndaj Zeqirija Ibrahimit, të cilin deri vonë e kishte konsideruar mik: “Sot e humba një mik, Zekën!”

Më poshtë e gjenu reagimin e plotë të Selmanit:

Për çfarë më “fituan” disa burra, sikur paraljmërova më herët?

Në muajin shtator ishte shpallur konkursi për anëtarë të Këshillit të Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele.

Aplikova me bindjen se profesionalizmi, përkushtimi dhe ndershmëria ende vlejnë. I përmbusha me përpikmëri të gjitha kriteret, kalova çdo fazë të procesit, dhe më 29 janar u zgjodha anëtare e Këshillit. Mbetej vetëm një hap formal miratimi në seancë plenare. Ky hap duhej të ndodhte sot.

Por dje, në mënyrën më tinzare dhe qyqare, deputeti Bekim Qoku, koordinator i VLEN-it, sigurisht me pëlqimin e aktorëve të tjerë të këtij subjekti, më kishte hequr nga lista.

Do të konsultohem me miqtë e mi avokatë për pasojat ligjore. Por më shumë se ligji, më dhemb padrejtësia. Dhe mënyra se si u bë: tinëzisht, në heshtje, pas shpine.

Nuk e di arsyen pse Bekim Qoku veproi kështu. Megjithë përpjekjet e mia për të kuptuar të vërtetën, komunikova me Zeqirija Ibrahimi , Afrim Gashin dhe Arben Taravari. Fillimisht, të gjithë sikur i shmangeshin përballjes me mua. Por, me këmbënguljen time, arrita të komunikoj dhe secili përpiqej t’ia hidhte fajin tjetrit.

Për shembull, Arben Taravari thoshte: “Ata të VLEN-it të kanë hequr”; Zeqirijahi ia linte përgjegjësinë Bekim Qokut dhe të tjerëve aty!

E vërteta është se kjo nuk nisi dje. Kjo luftë kundër meje nisi muaj më parë, tinezisht, dhe sot e finalizuan. Por, dinjitetin tim e mbrojta, dhe kete ata e dine shume mire.

Për raportet e mia me këta persona, për tradhtitë, për mohimin, për hipokrizinë e këtyre njerëzve, do të flas kur të vijë koha. Disa mund të zhgënjehen rëndë nga ato që do të dëgjojnë, por jam e detyruar t’i them. Jo për hakmarrje. Jo për viktimizim. Por për të paralajmëruar se nëse këta njerëz arritën të më mashtrojnë mua kaq mjeshtërisht në këtë moshë, çfarë do mund t’i bëjnë dikujt më të ri, më të pambrojtur?

Më vjen vërtet keq për Zekën. E kam konsideruar mik të vërtetë. S’kam dashur ta besoj kurrë se do të lejonte të bëhej pjesë e këtij skenari të ulët. Sot e humba një mik, Zekën!

Për gjithçka që ka ndodhur , për shpifjet, për përpjekjet për të më eliminuar, për padrejtësinë që më është bërë do të flas, sa herë që të kem forcë… ndoshta sot, ndoshta nesër, ndoshta muajin tjetër… por do flas.