Brenda dhomës sekrete ku Trump dha urdhrin për të nisur sulmet ndaj 3 objekteve bërthamore të Iranit

Shtëpia e Bardhë publikoi foto nga dhoma tepër sekrete, aty ku Presidenti Donald Trump mori një vendim që, sipas tij, ndryshon historinë: të shkatërrojë objektet bërthamore të Iranit.

Fotografitë ekskluzive të postuara të shtunën në mbrëmje (21 qershor) në platformën X zbuluan kush ndodhej në dhomë kur Trump dha urdhrin për të goditur impiantet bërthamore të Iranit.

Zëvendëspresidenti JD Vance, Sekretari i Shtetit Marco Rubio, Shefja e Kabinetit të Shtëpisë së Bardhë Susie Wiles, Kryetari i Shefave të Shtabit të Përbashkët Gjenerali Dan Caine, Drejtori i CIA-s John Ratcliffe dhe Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth ishin të gjithë të pranishëm në Dhomën e Situatave të Shtëpisë së Bardhë.

Raportohet se edhe Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, ishte e pranishme, ndonëse nuk shfaqet në fotot e publikuara nga Shtëpia e Bardhë.

Trump ishte ulur në qendër të dhomës, me një kapele “Make America Great Again” dhe mbishkrimin “45-47” të qëndisur në njërën anë, duke iu referuar mandateve të tij presidenciale.

Urdhri

Trump befasoi botën pak para orës 20:00 të mbrëmjes me orën e Uashingtonit (21 qershorit), kur njoftoi në platformën Truth Social se kishte dhënë dritën jeshile për të goditur Iranin.

Ai përdori gjashtë bomba gjigande kundër strehimoreve të betonizuara, secila me peshë 30.000 paund, si dhe 30 raketa Tomahawk për të shkatërruar objektet në Fordow, Natanz dhe Esfahan.

Në një adresim drejtuar kombit disa orë më vonë, Trump e quajti operacionin “një sukses të jashtëzakonshëm ushtarak”.

“Qëllimi ynë ishte shkatërrimi i kapaciteteve të pasurimit bërthamor të Iranit dhe ndalimi i kërcënimit bërthamor që përfaqëson sponsori shtetëror numër një i terrorizmit në botë. Sonte, mund t’i raportoj botës se sulmet ishin një sukses ushtarak spektakolar.”

Ai gjithashtu dha një paralajmërim të fortë për Teheranin: do të ketë goditje të tjera nëse regjimi nuk pranon paqen.

Hegseth, një ish-komentator i Fox Neës dhe oficer i Gardës Kombëtare të Ushtrisë, qëndronte pas Presidentit Trump gjatë fjalimit të tij në Krahun Lindor të Shtëpisë së Bardhë, megjithëse u detyrua të lëvizte shpejt për të qenë i dukshëm për kamerat

Trump kishte përkrah Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, dhe Zëvendëspresidentin JD Vance.

“Nesër, Gjenerali Caine dhe Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth do të mbajnë një konferencë për shtyp në orën 8 të mëngjesit në Pentagon,” tha Trump në fund të fjalimit drejtuar kombit.

“Dua të falënderoj të gjithë, dhe në veçanti Zotin. Dua vetëm të them: të duam, o Zot, dhe e duam ushtrinë tonë të lavdishme – Zoti i mbrojtë ata,” përfundoi ai.

Gjatë fjalimit të tij, Trump falënderoi gjithashtu pilotët amerikanë që fluturuan bombarduesit B-52 mbi Iran për të hedhur bombat mbi objektet bërthamore iraniane të shtunën.

Ai shprehu falënderime edhe për Kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, për qasjen e përbashkët aleate në eliminimin e kapaciteteve bërthamore të Iranit.