Një pjesë e punonjësve do të parkohen te “Limak”, MSH me zgjidhje të përkohshme rreth kaosit me parkimin në Qendrën Klinike
Ministria e Shëndetësisë, në marrëveshje me kompaninë “Limak”, ka gjetur një zgjidhje të përkohshme për problemin e parkimit pranë Qendrës Klinike në Shkup, përcjell TV21. Një pjesë e punonjësve të Qendrës Klinike do të kenë mundësinë të parkojnë automjetet e tyre në një hapësirë të caktuar që ofron objekti i “Limak”-ut pranë Qendrës Klinike.
“Punonjësit do të paguajnë të njëjtin çmim për parkim si deri më tani, ndërsa Ministria e Shëndetësisë nuk do të mbulojë asnjë shpenzim financiar”, njoftoi sot ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
Aktualisht, në hapësirat e Qendrës Klinike ekzistojnë rreth 700 vende legale parkimi, por çdo ditë atje parkohen mbi 2.000 automjete. Kjo shkakton kaos dhe parkim të pasigurt në trotuare e hapësira të gjelbra.
“Kjo situatë duhet të marrë fund. Me zgjidhjen e re, një pjesë e presionit do të ulet, ndërkohë që do të punohet edhe për një zgjidhje sistematike dhe të qëndrueshme,” theksoi ministri.
Bashkëpunimi me “Limak” shihet si një hap pozitiv drejt përmirësimit të kushteve përreth një prej institucioneve shëndetësore më të frekuentuara në vend, ndërkohë që vazhdohet të kërkohet një zgjidhje afatgjate për problemin e parkimit në kompleksin shëndetësor.