Gjykimi për vrasjen e dyfishtë vazhdon sot me fjalët përmbyllëse të të akuzuarve dhe mbrojtjes së Palevskit
Gjykimi për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezhovskit vazhdon sot në Gjykatën Themelore Penale Shkup me fjalë përmbyllëse të të akuzuarve dhe mbrojtjes së Ljupço Palevskit pasi që në seancën e kaluar mbrojtja e Velibor Manevit, Bore Videvskit, Vllatko Keshishovit dhe Aleksandar Gjorçevskit kërkuan aktvendim lirues. Prokuroria themelore publike paraprakisht kërkoi dënim maksimal me burg të përjetshëm për Palevskin, Keshishovin, Videvskin dhe Manevin, përderisa për babain e Vanjës kërkoi gjykata t’ia caktojë dënimin adekuat me burg.
Të akuzuarit në fillim të gjykimit deklaruan se nuk ndjehen fajtorë, ndërsa i akuzuari i parë Palevski gjatë gjithë procesit pohoi se ky është një proces i montuar politikisht.
Vanja e mitur dhe Pançe, banor i Velesit u raportuan të zhdukur më 27 dhe 24 nëntor, ndërsa më 3 dhjetor të vitit 2023 u gjetën të vdekur pranë Shkupit dhe Velesit.