Tensionet mes Izraelit dhe Iranit kanë hyrë në një fazë kritike, ndërsa Tramp tha se nuk dëshiron që SHBA të përfshihet në luftë

Një spital në jug të Izraelit ka pësuar goditje direkte nga një raketë iraniane, teksa zyrtarët raportuan për dëme të mëdha në këtë spital. Autoritetet u kanë kërkuar qytetarëve që të mos kërkojnë trajtim mjekësor në këtë institucion.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu e dënoi sulmin ndaj spitalit dhe u zotua se do të kundërpërgjigjet. “Tiranët në Teheran do të paguajnë çmim të lartë”, tha ai. Spitali i goditur ofron shërbim për pothuajse 1 milion banorë në jug të Izraelit. Ushtria izraelite ndërkohë tha se gjatë sulmeve ajrore ka shënjestruar Teheranin dhe disa zona të tjera të Iranit, pa dhënë detaje të hollësishme. Më pas tha se Irani ka nisur një valë të re sulmesh raketore ndaj Izraelit dhe u bëri thirrje njerëzve të strehoheshin.

Dita e shtatë e sulmeve mes Izraelit dhe Iranit vjen një ditë pasi udhëheqësi suprem i Iranit refuzoi thirrjet e Shteteve të Bashkuara për t’u dorëzuar dhe paralajmëroi se çdo përfshirje ushtarake e amerikanëve do të shkaktonte dëme të pariparueshme për ta. Ndërkohë presidenti amerikan Donald Tramp tha se nuk dëshiron që SHBA-të të përfshihen në luftë me Iranin, megjithatë sipas tij Teherani nuk mund të ketë armë bërthamore.

“Mbështetësit e mi nuk duan ta shohin Iranin të ketë armë bërthamore. Nuk po kërkoj të luftoj. Por nëse është një zgjedhje midis luftimit dhe atyre që të kenë një armë bërthamore, duhet të bësh atë që duhet të bësh. Ndoshta nuk do të na duhet të luftojmë, mos harroni, ne nuk kemi luftuar”, deklaroi Donald Tramp, President i SHBA-së.

Përmes fushatës ajrore, Izraeli deri më tani ka goditur ndërtesat për pasurimin e uraniumit të Iranit në Natanz, objektet për prodhimin e centrifugave përreth Teheranit dhe centralin bërthamor në Isfahan. Po ashtu ka vrarë gjeneralë dhe shkencëtarë bërthamorë iranianë.