Izraeli do të përgjigjet fuqishëm ndaj Iranit për sulmin balistik të mëngjesit mbi një spital të madh, deklaroi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.
“Tiranët terroristë të Iranit lëshuan raketa mbi spitalin Soroka në Beersheba dhe mbi civilët në qendër të vendit,” shkroi Netanyahu në platformën “X”.
Ai shtoi se “tiranët në Teheran do të paguajnë shtrenjtë” për sulmin, njoftoi “The Times of Israel”.
Spitali izraelit në Beersheba u godit mëngjesin e sotëm në sulmin më të fundit balistik iranian ndaj Izraelit, dhe më shumë se 30 persona u plagosën në sulmet në të gjithë vendin, katër prej tyre në gjendje të rëndë, bëri të ditur shërbimi mjekësor Magen David Adom (MDA).
Dy persona – një burrë 80-vjeçar dhe një grua 70-vjeçare – janë dërguar në spital në gjendje të rëndë, ndërsa 30 të tjerë janë plagosur më lehtë, kryesisht nga shpërthimet dhe copëzat e predhave, sipas MDA-së.
Në një raport të veçantë, ndihmësi mjekësor Yossi Shilo tha se ekipi i tij ka hasur dëme të mëdha materiale në një kantier ndërtimi. Një grua 60-vjeçare gjithashtu është trajtuar aty dhe është transportuar në spital në gjendje “të rëndë, por të qëndrueshme”.
Përveç Beershebas, raketat goditën edhe Tel Avivin, Ramat Ganin dhe Holonin, duke shkaktuar dëme të mëdha, raportuan mediat izraelite.
Ndërkohë, Irani njoftoi se objektivat kryesore të sulmit të mëngjesit ndaj Izraelit ishin selia e Komandës dhe Shërbimit të Inteligjencës së Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF), si dhe kampi i inteligjencës ushtarake në parkun teknologjik Gav-Yam. Irani mohoi raportimet e mediave izraelite se kishte goditur një spital, duke deklaruar se ishte goditur një zonë ku ishin të vendosur ushtarë izraelitë.