Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar sërish të konstituojnë legjislaturën e re.
Kryesuesi i Kuvendit, deputeti Avni Dehari, propozoi sërish që të votohet për komisionin që do të mundësonte votimin e fshehtë për kryetar kuvendi, por sërish nuk pati vota të mjaftueshme.
Përsëri dështim, seanca e radhës më 13 qershor
Pas dështimit të seancës së 30-të me radhë në përpjekje për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ajo e radhës është caktuar për të premten, më 13 qershor.
Kjo u bë e ditur nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari.
Edhe seanca e sotme si ato parapraket dështoi me po të njëjtën arsye, mosvotimi i komisionit për votim të fshehtë lidhur me zgjedhjen e shefit të Kuvendit.
30 seanca, Haradinaj: Ka humb kuptimi, po vijmë e po dalim – kurgjo, kurrkujt
Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj ka thënë se seancave iu ka humb tashmë edhe kuptimi.
Sipas tij, situata aktuale po i konvenon qeverisë.
“Shumica e deputetëve kanë të drejtë ta bojkotojnë kuvendin. Po duket që jemi duke shkuar drejt zgjedhjeve. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese mund të japë një drejtim të caktuar. Është për keqardhje në çfarë situate jemi”.
“Situata po i konvenon qeverisë aktuale. Kam munguar në disa seanca duke menduar që edhe deputetët e tjerë do të mungojnë, po vijmë po dalim, kurgjo, kurrkujt. Po e humbim kohën kot pa asnjë arsye”, ka thënë deputeti, njofton Klankosova.tv.
Krasniqi (PDK): Kam pritur që partia e parë të reflektojë, por s’pres ndryshim
Deputeti nga radhët e PDK-së, Altin Krasniqi, ka thënë se nuk pret ndonjë ndryshim nga seanca e sotme, e 30-ta me radhë, për konstituim të Kuvendit.
“Nuk pres ndonjë ndryshim. Kam pritur që partia e parë të reflektojë. Sipas meje, gjithçka do të jetë njëjtë”, tha ai për Klan Kosovën në hyrje të Kuvendit.
Krasniqi, duke qenë i biri i ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, tha se në të kaluarën, “fillimisht janë siguruar votat, e pastaj kanë ardhur në Kuvend”.
Balje s’ndryshon qëndrim, nuk ka votë për Haxhiun
Deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje nuk ka ndryshuar qëndrim, pra nuk do ta votojë Albulena Haxhiun për kryeparlamentare.
Për gazetarin e Klan Kosovës, Flamur Gajtanin, ajo tutje u shpreh se nuk pret ndryshim as sot, njofton Klankosova.tv.
“Jo nuk shoh ndryshim. Nuk ka pasur ndonjë hap tjetër, është situatë e njëjtë. Mendimin e kam të njëjtë. Krejt shkon me fuqi, kush ka më shumë fuqi, ka edhe përgjegjësi”, deklaroi Balje, njofton Klankosova.tv.
Moskonstituimi i Kuvendit, Zemaj: Përgjegjësia morale dhe politike bie mbi LVV-në
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj ka folur para nisjes së seancës së 30-të për konstituimin e Kuvendit.
Sipas tij përgjegjësia e madhe morale dhe politike bie mbi Lëvizjen Vetëvendosje, për ngërçin politik, transmeton Klankosova.tv.
“Përgjegjësia e madhe morale dhe politike bie mbi Lëvizjen Vetëvendosje e cila as nuk dëshiron të gjejë një zgjidhje, as të ofrojë një zgjidhje por me kryeneçësinë politike vazhdon të mbajë peng institucionet e Kosovës”, tha ai.
Gashi: S’ka sinjale për ndryshim
Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se nuk ka ndonjë sinjal se në seancën e sotme, të 30-tën me radhë, do të ketë ndonjë ndryshim.
“Nuk ka sinjale për ndonjë ndryshim por besoj që ka ardhur koha për të gjetur zgjidhje, ka kaluar kohë përtej të arsyeshmes. LDK ka ofruar një zgjidhje. Nëse është e papranueshme për LVV-në, atëherë le t’i bëjë veprimet e duhura sepse ka obligim me të drejtën që e ka fituar duke dalë e para në zgjedhje”, deklaroi Gashi në hyrje të Kuvendit.
Murati: Deputetët e opozitës po e shkelin Kushtetutën
Deputeti nga radhët e LVV-së, njëherësh ministër në detyrë i Financave, Hekuran Murati, tha se deputetët e ish-partive opozitare po e shkelin Kushtetutën duke mos votuar.
“Duhet deputetët ta kryejnë obligimin e tyre kushtetues, të votojnë – pro, kundër ose abstenim. Qe 21 herë deputetët e opozitës e shkelin Kushtetutën duke mos marrë pjesë në votim”, deklaroi Murati.
Ai i referohet çështjes së votimit të komisionit për votim të fshehtë, ku deputetët e LVV-së po votojnë pro, ndërsa të tjerët nuk po marrin pjesë në votim. /Klankosova.tv
Sala Jashari s’pret ndryshime në seancën e sotme konstituive
Deputetja e PDK-së, Sala Jashari nuk pret ndryshime në seancën e sotme konstituive e 30-ta me radhë.
Për gazetarin e Klan Kosovës, Flamur Gajtanin, deputetja tha se kjo që po ndodh, është kaos i madh për institucionet e Kosovës.
“Nuk pres diçka ndryshe. Është i çuditshëm fakti që janë duke pritur deri në seancën e 30 për një rezultat që ish dashtë me qenë qysh në ditën e parë. Seanca do të mund të kishte rezultat pozitiv brenda pesë minutash, kjo që po ndodh është kaos i madh për institucionet e Kosovës. Përsëritja është e dëmshme për të gjithë”, u shpreh Jashari, njofton Klankosova.tv.