Pas publikimit të skandalit nga portali TS, sot kanë dhënë dorëheqje disa familjarë të Naim Ismailit, përfshirë edhe baxhanakun e tij, nga pozitat që mbanin në Spitalin Klinik të Tetovës.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka larguar Naim Ismailin nga çdo përfshirje në punët e Spitalit. Gjatë disa ditëve sa ishte i përfshirë, Ismaili kishte emëruar disa familjarë në pozita të ndryshme dhe i kishte futur në komisione vendimmarrëse.
Ndërkohë, një tjetër skandal ka shpërthyer në lidhje me përzgjedhjen e specializantëve. Disa kandidatë janë pranuar edhe pse kanë pasur nota më të ulëta krahasuar me konkurrentët e tjerë. Për më tepër, lista e kandidatëve të pranuar nuk është shpallur në tabelën informuese të Spitalit, siç e kërkon procedura.
Disa nga kandidatët kanë nisur procedura gjyqësore për shkelje të rregullave të konkursit. Ekziston mundësia që konkursi të anulohet dhe të rihapet sërish.