E ardhmja e Ronaldos, çdo ditë e më larg Al-Nassrit

E tashmja e Cristiano Ronaldos në Arabinë Saudite nuk është ajo që ai kishte imagjinuar kur firmosi me Al-Nassr.

Pavarësisht performancës së tij individuale, sezoni ka qenë shumë larg pritshmërive.

Klubi nuk ka arritur të fitojë asnjë trofe dhe, për më tepër, është eliminuar nga edicioni i ardhshëm i Ligës së Kampionëve të Azisë, duke krijuar një atmosferë tensioni në të gjitha nivelet e institucionit.

Pasojat e kësaj fushate të dështuar tashmë kanë filluar të ndihen.

Ndryshime të thella priten në Al-Nassr, që nga drejtuesit e deri te stafi teknik.

Në këtë klimë trazirash, e ardhmja e yllit portugez është sërish në pikëpyetje.

Edhe pse në fillim kishte një synim për të zgjatur kontratën e tij, rinovimi po ftohet gjithnjë e më shumë.

I dukshëm i zhgënjyer në disa ndeshje të fundit — si në humbjen ndaj Al-Ittihad — Cristiano ka treguar shenja të qarta pakënaqësie.

Pas asaj ndeshjeje, ai u largua nga fusha pa kaluar nga dhomat e zhveshjes, një veprim që u interpretua si një shenjë përçarjeje.

As afrimi në merkaton e dimrit i sulmuesit Durán nuk ka qenë i mjaftueshëm për të ndryshuar situatën, dhe Ronaldo nuk duket më aq i bindur për të vazhduar në një projekt që nuk po gjen stabilitet.

Në këtë kontekst, ka dalë në skenë një ofertë e papritur nga Brazili, sipas raportimeve nga MARCA.

Bëhet fjalë për një propozim me mbështetje financiare të jashtme dhe kushte të pazakonta, gjë që ka bërë që rrethi i Ronaldos ta marrë seriozisht.

Mundësia për të garuar në Kupën e Botës për Klube me një ekip nga Amerika e Jugut e shton akoma më shumë joshjen e kësaj ideje.

Ndërkohë që futbolli saudit është në një proces transformimi, me klubet që po fillojnë të menaxhohen si ndërmarrje private, epoka e artë e premtuar për yje si Cristiano Ronaldo po lëkundet.

Al-Nassr nuk ka arritur të përmbushë pritjet, dhe tashmë vëmendja po zhvendoset te protagonistë të tjerë, si Karim Benzema dhe skuadra e tij.

Cristiano gjendet, një tjetër herë, përballë një vendimi të rëndësishëm. Arabia Saudite nuk është më parajsa konkurruese që dukej në fillim, dhe tundimi brazilian po forcohet dita-ditës.