“Jam krenar me lojtarët, trofeu është shpërblim për tifozët”, Postecoglou pas triumfit në Ligën e Evropës
Ange Postecoglou e ka cilësuar fitoren e Tottenham Hotspur në finalen e Ligës së Evropës ndaj Manchester United si një triumf për ‘besimtarët e vërtetë’, pasi skuadra e tij siguroi një fitore dramatike 1-0 për të ngritur trofeun e parë të madh në më shumë se një dekadë.
Spurs kanë fituar një finale të madhe ndaj Djajve të Kuq të mërkurën mbrëma, duke siguruar kështu trofeun e Ligës së Evropës, kualifikimin në Ligën e Kampionëve dhe shpëtimin e sezonit të dështuar në Ligën Premier.
Ky triumf ka bërë që trajneri i Spurs, Postecoglu, të ndihet krenar me ekipin e tij, teksa fitoren e cilësoi si një dhuratë për tifozët.
“Është e vështirë t’i përshkruaj me fjalë emocionet. Jam shumë krenar për lojtarët. Për të cituar kryeministrin tim të preferuar australian, ky është një grup për besimtarët e vërtetë. Është një grup i pabesueshëm lojtarësh që nuk u lëkundën kurrë dhe nuk e humbën kurrë besimin tek unë dhe ajo që po bëjmë”, ka thënë fillimisht Postecoglu.
“E di që njerëzit mendojnë se kam një marrëdhënie të tensionuar me tifozët, por çdo tifoz që takova ishte shumë i sjellshëm. E kuptoj zhgënjimin e ligës këtë vit. Por i pashë ata sonte, ndikimin që ka tek ata”.
“Është një shpërblim për ta, dhe së fundmi për gruan time të bukur, djemtë e mi, familjen time dhe miqtë e mi. Ata janë frymëzimi im. Duke i parë në fushë, me buzëqeshje në fytyrat e tyre, nuk mund të isha më i lumtur”, përfundoi trajneri i Spurs.