Ndeshja e fundit me fanellën e Galatasarayt, bashkëlojtarët detyrojnë portierin Muslera të gjuajë penalltinë

Galatasaray ka siguruar titullin e kampionit në Superligën e Turqisë dy javë para përfundimit të sezonit, pas një fitoreje të pastër 3:0 ndaj Kayserispor, në kuadër të javës së 34-të të kampionatit.

Fitorja ishte e domosdoshme për të konfirmuar titullin dhe ‘Luanët’ nuk zhgënjyen. Përveç triumfit, ndeshja u karakterizua nga një moment i veçantë që emocionoi tifozët dhe skuadrën pasi portieri Fernando Muslera, legjenda e klubit, realizoi një gol nga penalltia në minutën e 89-të, duke vulosur fitoren dhe titullin.

Portieri uruguaian mori nderin nga bashkëlojtarët për ta ekzekutuar penalltinë, si shenjë respekti për karrierën e gjatë dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm në klub.

Më herët, Victor Osimhen dhe Baris Alper Yilmaz kishin realizuar në minutat 26 dhe 29, duke e vendosur ndeshjen në rrugën drejt fitores që nga pjesa e parë.

Muslera, i cili ka qenë pjesë e Galatasarayt për 14 vite dhe ka zhvilluar rreth 550 ndeshje, ka shënuar edhe më parë për klubin. Goli i tij i parë erdhi në vitin 2012 ndaj Manisasporit gjithashtu nga pika e bardhë.

Paraprakisht, ai ka mbrojtur për Lazion në Serie A dhe ka qenë një shtyllë e përfaqësueses së Uruguait, me 133 paraqitje ndërkombëtare në karrierën e tij.

Me këtë fitore, Galata ka tetë pikë më shumë se ndjekësi më i afërt, Fenerbahçe, dhe është matematikisht kampione e Turqisë, duke shtuar një tjetër trofe në historinë e lavdishme të klubit.

Përveç titullit kampion, Galatasaray ka fituar këtë edicion edhe Kupën e Turqisë.