Pas skandalit të parë ku kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, paguante militantin e Lëvizjes BESA Xhevat Xhemailin me 1.500 euro në muaj, ndonëse ky i fundit jeton dhe punon në Austri, zbardhen dy skandale të tjera të rënda që rëndojnë edhe më shumë situatën e keqpërdorimeve në këtë komunë.
SKANDALI I DYTË: 1.000 EURO NË MUAJ PËR NJË PENSIONIST
Sipas dokumenteve nga portali Open Finance, më 14.05.2025, pensionisti Adnan Beadini ka përfituar 60.000 denarë (rreth 1.000 euro) nga Komuna e Tetovës, përmes një “kontrate në vepër”, edhe pse nuk ka asnjë dëshmi për ndonjë angazhim konkret. Ky shpërblim i rregullt mujor ngre alarmin për një tjetër keqpërdorim flagrant të buxhetit të komunës së Tetovës.
Portali TetovaSot, muaj më parë, raportoi se ekziston dyshimi se pagesa ndaj Adnan Beadinit është për shkak të shërbimeve që i ofron për Kasamin, përfshirë edhe akomodim e mikpritje në restorantin “Mantis” të tij, ku shpesh shihet në shoqëri me zyrtarin tjetër dhe Adnan Azizin.
Vlen të thekësohet se në vitin 2023 djali i Adnan Beadinit brenda 24 orëve mori nga arka e komunës së Tetovës mbi 5 mijë euro.
SKANDALI I TRETË: KONFLIKT I PASTËR INTERESI
Një tjetër emër që del në listën e përfituesve të parave publike është Uka Aliti, i cili është këshilltar në Komunën e Tetovës, por njëkohësisht merr rrogë përmes një kontrate në vepër nga vetë kryetari Kasami. Ky është një konflikt i hapur interesi, që mund të përbëjë shkelje të ligjit dhe vepër penale.
Institucionet përkatëse bashkë me Prokurorinë duhet urgjentishtë të marrin masa në lidhje me keqpërdorimet që bën Bilall Kasami në lidhje me kontratat në vepër.