Snopçe: Për ASH nuk ka asnjë interes tjetër pos atij që mbron shqiptarët

Për ASH nuk ka asnjë interes tjetër përpos atij që mbron interesat e shqiptarëve. Kështu tha deputeti i kësaj partie Halil Snopçe në një intervistë për Ora News në Shqipëri, ku ka sqaruar ndodhitë e fundit politike në vend dhe largimin e ASH nga Qeveria.

Ai tha se ASH nuk bashkohet me BDI-në në opozitë, por do të veproj si grup parlamentar më vete.

“Me ndryshimet kushtetuese ne nuk bëmë asgjë, me largimin e 20 % i cili poashtu ka qenë premtimi ynë parazgjedhor, tash askush nuk flet. E kemi edhe Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat dhe ne si parti e kishim të gatshëm. Na u tha se do të sillet në dhjetor të vitit të kaluar dhe tash jemi maj 2025 dhe ende taktizohet nga VMRO-DPMNE. Taktizohet pasi kur u hoq Balancuesi që garantonte një përfaqësim të drejtë e që e hoqi Gjykata Kushtetuese, ne u zotam se me një periudhë të shkurtër do ta sjellim Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe të barabartë që është kategori kushtetuese, sepse me Kushtetutë u garantohet komuniteteve jo maqedonase, gjegjësisht shqiptarëve përfaqësimi i barabartë. Por, ja që kjo periudhë dhe ky vakum u shfrytëzua nga VMRO-DPMNE për të bërë punësime vetëm puro maqedonase duke mos i marrë në konsideratë shqiptarët. U formua komision për Ligjin por 5-6 muaj ai komision s’ka asnjë epilog. Kemi premtuar edhe rastet e montuara politike, as për ato askush nuk flet. Këto janë disa nga arsyet që ne të veprojmë si opozitë sesa të harxhojmë kot energji me VMRO-DPMN dhe siç tha kryetari Taravari kthehemi te popullit dhe do të tentojmë të bëjmë së bashku një presion për këto çështje”, nënvizoi deputeti i ASH, Halil Snopçe.

Ai tha më tej se ndarja nga VLEN ka ardhur pasi partnerët e koalicionit nuk e kanë pranuar vendimin që ASH të garojë me lista të veçanta në zgjedhjet lokale.