Portieri i Barcelonës, Wojciech Szczesny, u pa në lot pas fitores dramatike të së dielës në El Clásico ndaj Real Madridit në Montjuic.
Ylli polak luajti gjatë gjithë ndeshjes dhe nuk mundi t’i mbante dot lotët pas triumfit që e afroi Barcelonën pranë titullit kampion.
Szczesny foli pas ndeshjes dhe shpjegoi pse u emocionua kaq shumë:
“Unë gjithmonë përpiqem t’i kontrolloj emocionet dhe të mos i shfaq ato, qofshin pozitive apo negative. Por pas vërshëllimës përfundimtare, ishte shumë e vështirë për mua,” tha ai për Canal+.
“Sytë mu mbushën me lot. Ishte një moment i mrekullueshëm.”
Portieri foli gjithashtu për rëndësinë e këtij sezoni për të, pas vendimit për t’u rikthyer nga pensionimi për t’u bashkuar me katalanasit:
“Isha në pension dhe tani e gjej veten me këtë. Mund të duket e çuditshme sepse Interi na eliminoi, por kjo skuadër e Barçës tani është më e mira në botë,” shtoi ai.
“Ajo që këta djem të rinj po bëjnë është mbresëlënëse dhe ata duhet të shpërblehen. Është për të ardhur keq që nuk fituam gjithçka, por ishim shumë afër dhe kemi ndërtuar diçka shumë të rëndësishme për të ardhmen.”
Barcelona tani është në pritje të vendimit nëse Szczesny do të qëndrojë. Portieri ka në tryezë një ofertë për rinovim dyvjeçar, por pranon se ende nuk ka marrë një vendim për të ardhmen e tij.