Berisha: Kemi rritje të votës, bandat e Ramës po ndikojnë në rezultat

Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se sovrani foli të dielën nëpërmjet votës, duke iu bërë thirrje komisionerëve për numërim pa presion.

Ai akuzoi kreun i Partisë Socialiste, Edi Rama, se i ka “vërshuar” bandat në qytetin e Durrësit dhe në disa qytete tjera.

“Sovrani foli, vota është në duar të komisionerëve, me përgjegjësinë më të madhe, në Durrës, bandat e pojës dhe troplinit kanë vërshuar drejt KZAK-së, me urdhrin nga Edi Rama se mund të ndikojnë në rezultat. Kjo s’është vetëm në Durrës, por ata janë më aktivë. Janë denoncuar, qoftë nga mediat apo nga PD-ja. Edhe në zonat e tjera, Edi Rama ka zgjedhur një lloj presioni ndaj KZAK-ve”, ka thënë Berisha para mediave.

Ai kërkoi që komisionerët dhe numëruesit e votave të zbatojnë vetëm ligjin, teksa shtoi se “asnjë votë s’mund dhe s’duhet të numërohet nën presion”.

Berisha shtoi se në zonat tradicionale të PD-së ka rritje të ndieshme të elektoratit.