Rreth 5.000 persona me prejardhje nga Maqedonia e Veriut që aktualisht jetojnë në Turqi kanë bërë një thirrje publike drejtuar institucioneve të Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar përshpejtimin e procedurave për marrjen e shtetësisë. Ata i referohen ligjit të miratuar në vitin 2021, i cili u dha të drejtën për të aplikuar për shtetësi personave të shpërngulur dhe familjarëve të tyre të afërt.
Në një deklaratë të shpërndarë në rrjete sociale, aplikantët kanë shprehur mirënjohje ndaj Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për këtë hap historik që ka rikthyer ndjenjën e përkatësisë kulturore dhe emocionale me atdheun e të parëve. Ata theksojnë se kanë aplikuar me besim të plotë, por ende nuk kanë marrë përgjigje, ndonëse kanë kaluar pothuajse katër vite nga miratimi i ligjit.
“Nuk bëhet fjalë vetëm për një çështje administrative, por për një akt simbolik që lidh brezat dhe ruan identitetin,” thuhet në deklaratën e grupit të aplikantëve nga Turqia.
Ata kërkojnë nga autoritetet maqedonase që të përshpejtojnë shqyrtimin e aplikimeve, të marrin vendime pozitive për ata që plotësojnë kriteret dhe ta përmbyllin me sukses këtë proces, i cili konsiderohet si një kapitull i rëndësishëm në marrëdhëniet me diasporën.
Aplikantët shprehin se janë të duruar, por gjithashtu të emocionuar dhe të mbushur me shpresë për ditën kur do të marrin lajmin se më në fund janë bërë zyrtarisht shtetas të Maqedonisë së Veriut.