Tom Doshi: Edi Rama, peng i krimit të organizuar

Kryetari i Partisë Social Demokrate, Tom Doshi, në mbyllje të fushatës elektorale, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama, si të kapur nga korrupsioni dhe krimi i organizuar.

“Më vjen keq për Edi Ramën që e ka marrë peng korrupsioni dhe krimi i organizuar, sepse kur erdhi në 2013 kisha shumë besim te ai që s’do të përfundonte ku ka përfunduar sot”, tha Doshi.

Ai theksoi se; në Shqipëri qytetarët po i nënshtrohen presioneve për të votuar Partinë Socialiste.

“Kemi gjysmën e qeverisë në burg. Po bëhen krime zgjedhore. Po i marrin lirinë njerëzve si e si të votojnë Partinë Socialiste. Pse keni frikë? Nëse ju keni punuar mirë, populli të voton vetë. Ju keni ardhur vetë këtu sot. Sot kemi të bëjmë me dy qeveri të korruptuara. Një e Sali Berishës që ishte dhe tjetra e Edi Ramës”, vijoi ai.

Ai foli gjithashtu për ndërhyrjen e shtetit në zgjedhje, përpjekjet për blerjen e votës, dhe për lidhjet e policisë me krimin e organizuar.

“Shkon dhe shkruan nëpër letra do të marr 88 mandate. Po meqë i merr 88 mandate, pse hiqni njerëz prej pune? Pse i bëni presion njerëzve? Po e çojnë vendin në kolaps që ndërkombëtarët jo të japin pasaportë europiane, po mos të njihen zgjedhjet prej krimit zgjedhor që po bëhet në Shqipëri. Është çuar i madh dhe i vogël për të blerë vota. Policia e lidhur me krimin e organizuar”,- tha Doshi.

“Janë 1 milionë shqiptarë që vuajnë, vuajnë për ushqim, vuajnë për ilaçe. Diskutohen këtu aeroporte, porte. Akoma festohet se bëhet një rrugë”,- përfundon ai.