Nis hetimi për vrasjen në Shtip, pesë persona nën akuzë

Prokuroria Themelore Publike në Shtip ka hapur procedurë hetimore ndaj pesë personave në lidhje me vrasjen që ndodhi më 8 maj në një lokal të qytetit. I dyshuari kryesor, një 21-vjeçar, akuzohet për “vrasje me paramendim dhe nga hakmarrja” si dhe “tregti e paautorizuar me armë”.

Sipas të dhënave të hetimit, i dyshuari kishte blerë një armë zjarri të llojit pistoletë, kalibër 9 mm, në Shkup për 1.100 euro nga një person i panjohur. Ai ishte takuar me viktimën – gjithashtu shtetas turk – pas komunikimit përmes aplikacioneve mobile, me pretendimin për të zgjidhur një konflikt të mëparshëm. Pas një bisede rreth 15 minuta në lokal, autori kishte shkuar në tualet, u kthye dhe qëlloi disa herë ndaj viktimës, i cili humbi jetën si pasojë e plagëve të marra.

Pas kryerjes së aktit, katër persona të tjerë – tre burra dhe një grua të moshës nga 22 deri në 28 vjeç – dyshohet se ndihmuan autorin të largohej drejt Shkupit me një automjet të tipit BMW. Megjithatë, të pestë u ndaluan nga policia pranë pikës së pagesës në Milladinovci.

Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për të gjithë të dyshuarit, ndërkohë që hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rastit.