Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, komentoi zhvillimet e fundit politike, duke theksuar se është koha që forcat politike të marrin përgjegjësi për gjendjen aktuale në vend.
Ai tha se ditët e fundit ka pasur lëvizje dhe shkëmbim letrash mes partive politike, duke përfshirë partinë e parë dhe të tretë, por theksoi se tani duhet të kalohet në veprime konkrete.
“Po shpresoj që po harxhohen këto mundësi dhe eksplorimet që po i bëjnë forcat politike. Kosova duhet t’i ketë urgjentisht institucionet. Kosova nuk e ka luksin të mbetet kështu”, tha Limaj.
Ai ngriti alarmin për situatën ekonomike, duke thënë se ajo nuk ka qenë kurrë më keq dhe shtoi se vendi duhet të lëvizë edhe në aspektin diplomatik. Limaj theksoi se njerëzit kanë votuar dhe për këtë arsye përgjegjësia politike është shumë e madhe.
“Gjendja ekonomike kurrë më keq nuk ka qenë, duhet të lëvizim edhe në diplomaci. Njerëzit kanë votuar. Përgjegjësia është e madhe,” u shpreh ai.
Duke komentuar thirrjet për zgjedhje të reja, Limaj u shpreh kritik ndaj qasjes së disa partive, ndërsa dha edhe një mesazh për kulturën demokratike në vend.
“Çka është kjo: duam të shkojmë në zgjedhje! Media e lirë është kur ju jeni të gatshëm të dëgjoni u kur ajo që e dëgjoni është e pakëndshme për ju. Edhe në politikë njëjtë: të gjesh marrëveshje me atë që nuk pajtohesh”, tha ai.