Qeveria është e gatshme të zbatojë masa të rrepta nëse çmimet rriten në mënyrë drastike

Sipas ministrit të Ekonomisë Besar Durmishi, masat e marra që nga fillimi i vitit, siç është kufizimi i marzhave për ushqimet dhe produktet e higjienës, kanë dhënë rezultate pozitive. Ai tha se masat kanë sjellë stabilizimin e çmimeve dhe inflacionit. Të dhënat e matura nga statistikat e inflacionit në bazë mujore tregojnë rritje prej 0.6%, që për ministrin është praktikisht zero. Ai tha se nëse çmimet e produkteve rriten, ata do të vendosin masa më të rrepta dhe lista e produkteve për kufizim të marzhës mund të zgjerohet.

“Mund ta zgjerojmë listën e produkteve që do të mbulohen nga kufizimi i marzhës. Për shembull, ajo që kishim tani si masë, mund të vendosim më shumë produkte, mund ta rrisim përqindjen e marzhës, mund të shohim se cilat janë ato mundësi që do të nënkuptojë masë më rigoroze se ajo që e kemi tani. E them këtë për t’i informuar prodhuesit, shpërndarësit dhe tregtarët që të mos sillen në mënyrë devijuese, të mos rrisin çmimet, pa justifikim ekonomik”, tha Besar Durmishi- ministër i Ekonomisë.

Por nëse e shikojmë më nga afër raportin e Entit Shtetëror të Statistikave, mund të shohim se ka rritje të kostos së jetesës në bazë vjetore në pothuajse të gjithë parametrat. Indeksi i çmimeve të konsumit në prill 2025, krahasuar me prillin 2024, shënoi rritje prej 2.6% kurse indeksi i çmimeve me pakicë shënoi rritje prej 2.7%.

“Rritje e çmimeve të ushqimit dhe pijeve joalkoolike me 1.47%. Gjithashtu ka rritje të produkteve bujqësore prej 3.70%. Rritje e çmimeve të veshjeve dhe këpucëve prej gati 4%. Akomodim, ujë, energji elektrike, gaz dhe lëndë djegëse të tjera me 2.25% Mobile dhe enterier me 4.43%. Kujdes shëndetësor mbi 4%”, thonë nga Enti i Statistikave.

Durmishi theksoi se Inspektorati Shtetëror i Tregut po kryen kontrolle te tregtarët, furnitorët dhe prodhuesit ndërsa pas analizimit të raportit, Ministria e Ekonomisë do të vendosë për hapat e mëtejshëm.