Rama ironizon deklaratën për heqjen e nongrata të Berishës, kreu i qeverisë: Tjetër tallje e Bufit me lukuninë e kënetës

Kryeministri Edi Rama ka ironizuar këtë paradite lajmet e shpërndara në rrjetet sociale për lejimin e kryetarit të PD-së, Sali Berisha për të udhëtuar drejt SHBA-së.

Rama shkruan se kjo është një tjetër ‘tallje e bufit me kënetën’, duke shtuar me ironi se “këneta sheh ëndrra madhështore me rrugë qumështi dhe mëndafshi, ku oqeani bëhet kos dhe kapelja trampiste e Bufit shumëfishohet në miliona tenxhere floriri me mbishkrimin USA”.

“Thashë se ia hoqën vërtetë damkën të shpëtonte Shqipëria nga një turp i pashembullt, po aha, hiç, qenkej një tjetër nga ato talljet e Bufit me lukuninë e Kënetës, ku mbetet gjithnjë i palëkundur besimi se po e tha Bufi fluturon edhe gomari…

Trushpëlarje aq shembullore u ka bërë në tërë këto vite të shkretëve, sa që edhe kur Bufi i rrjedhur përçartet rrugëve, Këneta sheh ëndrra madhështore me rrugë qumështi dhe mëndafshi, ku oqeani bëhet kos dhe kapelja trampiste e Bufit shumëfishohet në miliona tenxhere floriri me mbishkrimin USA”, shkruan Rama.