Rënie drastike e numrit të ndërhyrjeve kirurgjike! Repartit të Ortopedisë në Tetovë i mungojnë materialet
Ka rënë ndjeshëm numri i ndërhyrje kirurgjike në repartin ortopedisë në Spitalin Klinik të Tetovës sepse mungojnë materialet. Pacientët dërgohen në Qendrën Klinike të Shkupit, gjë që u kushton para dhe mundim. Kur e pyetëm ministrin e shëndetësisë rreth kësaj, na tha se s’ka informacion, ndërsa drejtori i spitalit Agim Berisha konfirmoi dhe tha se së shpejti do të hapet tenderi për këto materiale.
“Unë nuk kam ndonjë informatë me siguri drejtori i di këto punë”, tha Arben Taravari, ministër i Shëndetësisë.
“Ka ngecur puna për shkak se nuk ka materiale dhe këto ditë do të hapet tenderi dhe besoj se do të kryhet”, theksoi Agim Berisha, u.d. drejtor i Spitalit Klinik të Tetovës.
Gazetari: Çfarë ndodh me ata pacientë që kanë nevojë për intervenime?
“Për momentin janë drejtuar në klinikat e Shkupit, për fat të keq kështu ka qenë”, pohoi Agim Berisha, u.d. drejtor i Spitalit Klinik të Tetovës.
TV21 ishte sot në ortopedinë e Tetovës për të parë gjendjen. Kryeshefi i repartit Arton Neziri na tregoi se gjatë vitit 2023 janë bërë 140 intervenime, ndërsa këtë vit vetëm 10, ma ato materiale që kanë ngelur.
“Ka gati një vit për shkak të materialeve që neve i kërkojmë radhazi, këto materiale janë më se të nevojshme në këto ndërhyrje ortopedike-traumatologjike që kohës së fundit janë kryer në klinikën e Tetovës. Siç dihet kjo shkon në bazë të tenderimit dhe kërkesa jonë deri tek drejtoria ka qenë e vazhdueshme momenti i fundit kur është ndërpretë tenderi ka qenë tetori dhe ne nuk kemi pasur mundësi të bëjmë kërkesa të reja. Në vitin 2023 si referencë nga 140 operacione të kryera duke filluar në vitin 2024 me 40 operacione dhe 2025 me 8 operacione”, theksoi Arton Neziri – kryeshef i Repartit të Ortopedisë.
Reparti i ortopedisë në Tetovës, krahas mungesës së materialeve për punë, përballet edhe me mungesë të personelit dhe specialistëve. Për momentin ka vetëm 6 specialistë, prej të cilëve dy do të dalin në pension. Në bazë të numrit të popullsisë në këtë repart duhet që së paku të jenë 10 specialistë.