Moska nën sulm ajror: Dronët ukrainas paralizojnë aeroportet e kryeqytetit rus

Rusia ka njoftuar se Ukraina ka kryer një sulm me dronë gjatë natës që synonte Moskën. Të katër aeroportet kryesore të kryeqytetit u mbyllën për disa orë për arsye sigurie, por më pas u rihapën, njoftoi agjencia ruse e aviacionit civil “Rosaviaçia”.

Kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin, tha në rrjetet sociale se të paktën 19 dronë ukrainas janë shkatërruar para se të arrinin në qytet “nga drejtime të ndryshme”. Ai shtoi se mbeturinat e disa prej dronëve kanë rënë mbi një autostradë kryesore, por nuk ka viktima.

Ukraina ende nuk ka komentuar. Ndërkohë, kryetari i qytetit të Kharkivit pretendon se Rusia e ka sulmuar qytetin e tij me dronë gjatë natës. Në të njëjtën kohë, guvernatorët e rajoneve ruse Penza dhe Voronezh thanë se ishin shënjestruar nga dronë ukrainas.

Raportime të pakonfirmuara nga blogerë ushtarakë rusë sugjerojnë se dritaret e një apartamenti në jug të Moskës janë thyer nga një shpërthim. Kjo është nata e dytë me radhë që Rusia raporton sulme të tilla. Dje, Ministria e Mbrojtjes ruse njoftoi se kishte shkatërruar 26 dronë ukrainas gjatë natës.

Që nga pushtimi i plotë rus i Ukrainës më shumë se tre vjet më parë, Kievi ka ndërmarrë disa sulme me dronë ndaj Moskës. Në sulmin më të madh, në mars, u vranë tre persona.

Sulmet më të fundit ndodhin pas raportimeve të djeshme për përpjekje të reja të Ukrainës për të sulmuar rajonin e Kurskut. Kievi njoftoi se kishte goditur një njësi komanduese pranë fshatit Tjotkino në atë rajon.

Muajin e kaluar, Moska njoftoi se kishte rikthyer kontrollin e plotë mbi rajonin e Kurskut, nëntë muaj pasi forcat ukrainase kishin nisur një ofensivë të befasishme. Megjithatë, Kievi këmbëngul se ende ka trupa që veprojnë përtej kufirit.