Administrata e Donald Trump ka njoftuar planin e ri për të larguar emigrantët e paligjshëm nga vendi. Departamenti i Sigurisë tashmë ofron 1000 dollarë për të gjithë ata që lënë vendin vullnetarisht, teksa Shtëpia e Bardhë vijon planet për depërtimet masive.
“Nëse jeni këtu ilegalisht, vetë-deportimi është mënyra më e mirë, më e sigurt dhe më me kosto efektive për t’u larguar nga Shtetet e Bashkuara për të shmangur arrestimin. Ne tani po u ofrojmë të huajve të paligjshëm ndihmë financiare për udhëtim dhe një pagesë për t’u kthyer në vendin e tyre”, tha Sekretarja Kristi Noem.
Presidenti Donald Trump i ka bërë dëbimet masive nga Shtetet e Bashkuara një pjesë thelbësore të politikave të tij, por një proces i tillë është mjaft i kushtueshëm dhe kërkon shumë burime.
Sipas Departamentit te Sigurisë, kostoja mesatare e arrestimit, ndalimit dhe deportimit të dikujt pa status ligjor është aktualisht rreth 17,000 dollarë.
Shpenzimet dhe bileta e mundshme e avionit për emigrantët që largohen vullnetarisht do të kushtonin më pak se një deportim aktual, sipas agjencisë. Sipas po këtij Departamenti, tashmë janë rezervuar bileta për këtë javë dhe javën pasardhëse.
Administrata e Donald Trump ka deportuar 152,000 njerëz që nga 20 janari, sipas shifrave zyrtare. Ky numër është më i ulët se 195,000 të deportuar nga shkurti deri në prill të vitit të kaluar nën administratën e udhëhequr nga Joe Biden.