Bayerni shpallet kampion i Gjermanisë, Harry Kane e fiton trofeun e parë në karrierë

Bayern Munich janë shpallur kampionë të Bundesligës për herë të 33-të, duke fituar titullin e tyre të 34-të kombëtar, pasi barazimi 2-2 i Bayer Leverkusenit ndaj Freiburgut ua siguroi avantazhin e pakapërcyeshëm në krye të tabelës.

Pas ndërprerjes së dominimit prej 11 titujsh radhazi sezonin e kaluar nga skuadra e Xabi Alonsos, Bayern e kanë rimarrë kurorën në mënyrë bindëse këtë edicion, me 24 fitore dhe vetëm dy humbje deri tani.

Rekordi i tyre si skuadra me më shumë tituj kombëtarë në Gjermani vazhdon të rritet – nga 34 tituj gjithsej, 33 janë fituar në epokën e Bundesligës, ndërsa vetëm një (në 1932) ka ardhur përpara formimit të kampionatit modern.

Pavarësisht dyshimeve që u ngritën pas emërimit të Vincent Kompany si trajner – pas rënies së Burnley nga Premier League – rikthimi i titullit konsiderohet një sukses për klubin dhe trajnerin belg. Edhe pse Bayerni u eliminua nga Inter në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve, suksesi në kampionat e shpëton sezonin.

Ky është gjithashtu një moment historik për kapitenin e Anglisë, Harry Kane, i cili më në fund ka fituar trofeun e tij të parë në karrierë, në moshën 31-vjeçare. Me 24 gola në Bundesligë këtë sezon, Kane është në rrugën e duhur për të fituar Këpucën e Artë për herë të dytë në dy kampionate të ndryshme, duke dëshmuar se është një golashënues elitë.

Michael Olise, i ardhur nga Crystal Palace gjatë verës, dhe Jamal Musiala kanë qenë gjithashtu ndër yjet e Bayernit këtë sezon. Tani, ata shpresojnë ta bartin formën e tyre edhe në Kupën e Botës për Klube në qershor.