Kuvendi i bllokuar: Strategjia e VV-së për kryeparlamentar refuzohet nga ish-opozita

Kuvendi i Kosovës vazhdon të mbetet i pakonstituuar edhe pse sot u shënua përpjekja e dhjetë për ta arritur një gjë të tillë.

Pas propozimit të Vetëvendosjes për t’u formuar një komisionin lidhur me hedhjen e votimit në mënyrë të fshehtë, kjo seancë dështoi shpejt, transmeton Klankosova.tv.

VV insistoi, por për të dytën herë me radhë nuk ia doli ta formojë këtë trupë.

Ishin PDK, LDK dhe AAK që akuzuan subjektin e udhëhequr nga Albin Kurti, duke ia refuzuar një komision të tillë.

Për pasojë, kryesuesi Avni Dehari ndërpreu menjëherë seancën. E radhës u la për të hënën, pra pas 48-orëve.

Me të përfunduar edhe episodit i dhjetë me mbarim të njëjtë, i njëjtë ishte edhe reagimi i ish-opozitës.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi vazhdon t’i qëndrojë stoik vendimit që Albulena Haxhiu të mos votohet për kryeparlamentare.

“Ua përkujtoj dhe ua përsëris, as herën e parë, as herën e dhjetë, as herën e 100-të nuk kalon Albulena Haxhiu, sepse nuk e meriton ky Kuvend ta ketë në krye një figurë të tillë”, tha ai.

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami, është e të njëjtit mendim me Krasniqin, kundër votimit të Haxhiut si kryetare e Kuvendit.

“Edhe përkundër faktit që dje ishte një ditë e keqe për Kosovën e në veçanti për komunitetin e tij, ajo që jeni përballur për plot 1 vit. Na vjen keq dhe zotohemi para jush që në emër të LDK do të jeni gardian të lirë, na vjen keq që prej datës 15 prill jemi takuar çdo 48 orë, tash LVV ka vendos strategji, dhe po kërkon votë për një komision për votim të fshehur, që është argumentuar që është shkelje ligjore dhe kushtetuese ndryshimi i votimit. Ne nuk do të votojmë dhe nuk do të bëhemi pjesë e një shkelje të tillë”, u shpreh Bajrami.

Ndërsa Time Kadrijaj e AAK-së thotë se VV-ja nuk i ka votat për ‘lojërat politike që po i bën’.

“Po kërkojnë votë për formimin e një komisioni, ndërsa nuk e kemi emrin e një kandidati. Nuk i kanë lojërat për lojërat e tyre politike që po i bëjnë, dhe nëse nuk ndryshojnë qasje, është lëvizje e VV-së”, tha ajo, transmeton Klankosova.tv.

A do të konstituohet Kuvendi në tentativën e 11-të? Drama politike vazhdon të hënën. /Klankosova.tv.