Deliu: Fatkeqësisht, Kosova po renditet më keq se Serbia në lirinë e shprehjes

Blerta Deliu e Partisë Demokratike të Kosovës, në konferencën e thirrur për media deklaroi se janë mbledhur për ta ngritur alarmin për një nga momentet më të errëta në historinë e re të shtetit të Kosovës, duke iu referuar të dhënave të publikuara sot nga Reporterët pa Kufij që e rendisin Kosovën në vendin e 90 nga 180 shtete në botë për lirinë e shprehjes.

Sipas saj, kjo është renditja më e ulët në historinë e Republikës së Kosovës, një rënie e turpshme e dramatike dhe alarmante, dhe se për këtë katandisje është përgjegjëse qeveria e Lëvizjes Vetëvendosje.

Para gazetarëve Deliu u shpreh po ashtu se Kosova po shënon rënie në çdo indikator, në atë ekonomik, social e indikatorët e sigurisë.

“Çdo raport vendor e ndërkombëtar po dëshmon që kjo qeveri po e fundosë vendin. Kosova është viktimë e një pushteti të keq që linçimin e ka bërë mjet kontrolli”.

“Ky është një rrenim i qëllimshëm që po ndodh. Sot Kosova fatkeqësisht po renditet më keq se Serbia në lirinë e shprehjes”.

“Një pushtet që frikësohet nga fjala është pushtet që e di se nuk ka të drejt, dhe kjo i bie që nuk ka as të ardhme”, deklaroi Deliu.

Tutje ajo shtoi se rënia drastike flet për alarmin dhe gjendjen e rënde që sot janë gazetarët, dhe se përgjegjësia e ka një emër e ajo është qeveria e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.