Palestinezi dhe djali i tij presin mbështetje ndërkombëtare me shpresën për trajtim për proteza

Palestinezi Raid Abul-Kas dhe djali i tij me gjymtyrë të amputuar pasi u vendosën në shënjestër të sulmit ajror nga ushtria izraelite në Gaza, bëjnë thirrje dhe kërkojnë ndihmë nga organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe autoritetet përkatëse për përshpejtimin e proceseve të trajtimit të tyre me proteza, raporton Anadolu.

Raid Abul-Kas, i cili punonte si punonjës bashkie në Gaza dhe fëmijët e tij, u bënë shënjestër të sulmit ajror të kryer nga ushtria izraelite në Gaza. Raid Abul-Kas u plagos rëndë në sulm ndërsa njëri nga djemtë e tij që i erdhi në ndihmë humbi jetën dhe tjetri humbi këmbën.

Sipas informacionit të marrë nga autoritetet lokale në Gaza, Abul-Kas u shënjestrua nga një dron izraelit ndërsa punonte me leje zyrtare. Vëllezërit Mahmoud dhe Muhammed Abul-Kas nxituan për t’i ardhur në ndihmë babait të tyre, ndërsa u përballën me një sulm të dytë ajror.

Në zonë u lëshuan më shumë se pesë raketa njëra pas tjetrës dhe si rezultat i sulmit, Raid Abul-Kas humbi këmbën e djathtë dhe djali i tij Mahmud, humbi njërën këmbë. Ndërkohë djali tjetër i tij, Muhamedi ndërroi jetë në spital si pasojë e plagëve të rënda.

Babai dhe djali të mbijetuar nga sulmi po marrin fizioterapi në Qendrën e Protezave dhe Rehabilitimit në Gaza. Por, për shkak të pamjaftueshmërisë së infrastrukturës shëndetësore, kërkohen referime jashtë vendit për aplikime të avancuara të protezave dhe shërbime rehabilitimi.

Familja u bën thirrje organizatave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe autoriteteve përkatëse që t’i ndihmojnë ata për përfundimin me shpejtësi të procesit të tyre të trajtimit.

Rripi i Gazës po përjeton krizë serioze shëndetësore dhe humanitare për shkak të bllokadës shumëvjeçare dhe përshkallëzimit të operacioneve ushtarake të Izraelit.