Conte, i vetëm në krye të Serie A: Nuk e pashë humbjen e Interit, vuaj mjaftueshëm për ndeshjet tona
Në përfundim të ndeshjes së fituar kundër Torinos, trajneri i Napolit, Antonio Conte, foli në sallën e konferencave të stadiumit “Diego Armando Maradona”, për t’iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
Çfarë ndryshon në menaxhim tashmë, me kreun e Serie A ku qëndroni të vetëm?
Nuk është hera e parë që jemi në krye, kemi qenë më shumë në krye se kushdo tjetër. Nuk është ndonjë risi ta menaxhosh këtë pozicion, por ndeshjet e mbetura po bëhen gjithnjë e më të pakta dhe çdo lloj gabimi mund të kushtojë rëndë. Jemi matematikisht të kualifikuar për në Champions League, një arritje shumë e rëndësishme ekonomikisht për klubin, duhet ta shijojmë sadopak. Po i transmetojmë emocione vetes dhe tifozëve tanë, është diçka shumë e bukur.
Fitore me skuadër të përqendruar dhe një sulm të uritur, por mungojnë edhe 4 hapa drejt mrekullisë…
Mungojnë edhe katër hapa, këtë ua thashë edhe djemve. Nuk ishte e lehtë, sepse kaluam një pragndeshje paksa të çuditshme. Nuk e pashë Interin, sepse tashmë vuaj mjaftueshëm për ndeshjet tona. Nuk ndërhyra te djemtë, desha t’u lija atyre lirinë, duke ditur që mund të harxhonim edhe energji mendore. Para ndeshjes iu thashë që nuk kishte ndryshuar asgjë dhe se duhet të fitonim me motivim të madh. Djemtë ishin të mrekullueshëm, të shtyrë nga një ambient i jashtëzakonshëm. Kemi pasur vështirësi edhe për të hyrë në stadium nga turmat e tifozëve, kjo është shumë e bukur. Mendojmë për sot dhe për ndeshjen e radhës.
Si është situata me të dëmtuarit?
Për Anguissa është e vështirë të bësh një vlerësim menjëherë; duket se ka marrë një goditje në pjesën e ijeve. Për Buongiornon do të duhet të presim 24-48 orë për të kuptuar më mirë. Ai ka një shqetësim në tendinat pranë pjesës së poshtme të pubisit, por tani është shumë e vështirë të japim diagnozë. Jemi mësuar të përballemi me emergjenca dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë pa probleme.
Vërtet nuk e patë humbjen e Interit ndaj Romës?
Vuaj tashmë mjaftueshëm për veten, imagjinoni sikur të vuaja edhe për të tjerët. Kam parë pjesën e dytë të Fiorentina-Empoli, jo Inter-Roma. Në fund më thanë rezultatin.
Fitorja ndaj Torinos ju avancoi të vetëm në krye, me 3 pikë më shumë se Interi…
Tashmë jemi të vetëm në krye të renditjes, por mungojnë edhe 4 ndeshje. Sot bëmë hapin e parë duke u ngjitur në vendin e parë. Na presin dy skuadra si Lecce dhe Parma, që luftojnë për mbijetesë, pra është gjithçka ende për t’u vendosur. Sot e nisëm ndeshjen të vetëdijshëm për forcën tonë, stadiumi na shtyu shumë dhe ishte lojtari ynë i 12-të. Duke parë skuadrën, duhej të gjenim gola nga pjesë të tjera të fushës, sepse në formacion nuk kemi shumë lojtarë që shënojnë rregullisht. Kemi punuar shumë, kemi arritur në 74 pikë dhe tani Champions-i është thjesht një çështje matematike. Duke menduar nga ku e nisëm, është diçka shumë e bukur.