Milan ka dhuruar një performancë të jashtëzakonshme në gjysmëfinalen e kthimit të Kupës së Italisë, duke mposhtur rivalin e përjetshëm Inter me rezultat të thellë 0:3 në “San Siro” dhe duke siguruar një biletë të merituar për në finalen e madhe. Pas barazimit 1:1 në ndeshjen e parë, ku gjithçka mbeti e hapur, kuqezinjtë treguan klas dhe qetësi për të shënuar një fitore të madhe në derbin e Milanos.
Luka Jovic realizoi dy gola të rëndësishëm në minutat 36’ dhe 49’, duke tronditur Interin dhe duke vendosur fatin e përballjes shumë herët.
Fitorja u vulos në minutën 85’ me një gol të Tijjani Reijnders, që e përmbylli në mënyrën më të bukur paraqitjen dominuese të Milanit. Interi nuk arriti të reagonte në asnjë moment dhe u dorëzua përballë një Milani të vendosur, të organizuar dhe me ide të qarta.
Ky është një sukses i madh për Milanin, që jo vetëm mposhti rivalin e madh në një përballje me shumë peshë emocionale dhe sportive, por edhe siguroi një vend të rëndësishëm në finalen e Kupës së Italisë, ku do të kërkojë të rikthehet te trofetë në skenën kombëtare.