Deputeti Elbert Krasniqi, njëherësh ish-ministër Pushtetit Lokal, ka njoftuar se është mbyllur kompania paralele e Serbisë e ujësjellësit dhe mbeturinave “Novo Javno Preduzece” e cila ka funksionuar në Shtërpcë.
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi tha se “asnjë institucion paralel i Serbisë nuk ka vend në Republikën e Kosovës. Asnjë paralelizëm i institucioneve tona e nën direktivat e Beogradit brenda territorit të vendit tonë nuk do të funksionojë në asnjë formë”.
“Pas kërkesës së Njësisë së Mbikëqyrjes së Ndërmarrjeve Publike drejtuar Policisë së Kosovës, sot është mbyllur kompania paralele e Serbisë e ujësjellësit dhe mbeturinave ‘Novo Javno Preduzece’ e cila ka funksionuar në Shtërpcë. Ministria e Ekonomisë sipas mandatit dhe mekanizmave të saj është në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim dhe në mbarë territorin e Republikës së Kosovës. Në këtë drejtim do të punojmë në vazhdimësi dhe pa u ndalur”, potencoi Krasniqi.
Ai ka falënderuar Policinë e Kosovës për mbështetjen dhe njëherësh ka kërkuar nga ta dhe nga Prokuroria hetime të menjëhershme mbi dëmet dhe përfitimet që janë sjellë nga veprimtaria e jashtëligjshme e këtij institucioni paralel të Serbisë.