Osmani: Papa Françesku, një zë i dhembshurisë, përulësisë dhe drejtësisë

Bota është në zi pas ndarjes nga jeta e Papa Françeskut, i cili ka ndërruar jetë sot në moshën 88-vjeçare.

Në një mesazh ngushëllimi, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, shprehu pikëllimin e saj për ndarjen nga jeta të Papës, duke vlerësuar trashëgiminë e tij si një lider shpirtëror që frymëzoi botën me mesazhet e paqes dhe dinjitetit njerëzor.

“Populli i Republikës së Kosovës i bashkohet miliona njerëzve në mbarë botën në vajtimin për ndarjen nga jeta të Shenjtërisë së Tij, Papa Françesku – një zë i dhembshurisë, përulësisë dhe drejtësisë në kohën tonë. Trashëgimia e tij do të jetojë në jetët e panumërta që ai i preku. Qëndrojmë pranë të gjithë atyre që mbajnë gjallë mesazhin e tij të shpresës, paqes dhe dinjitetit njerëzor”, ka shkruar Osmani.

Papa Françesku, emri i lindjes Jorge Mario Bergoglio, u bë papa i parë nga Amerika Latine dhe papa i parë jezuit në histori.
Gjatë papatit të tij, ai njihej për qasjen e tij të thjeshtë dhe shpirtin e afërt me njerëzit, duke promovuar vlerat e dashurisë, përulësisë dhe kujdesit për më të margjinalizuarit në shoqëri.