Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari, ka lëshuar një interpretim kushtetues një ditë përpara vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Kusari iu ka referuar një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, ku nëpërmjet një shkrimi në ‘Facebook’ ka thënë se është shkelje kushtetuese mospjesëmarrja në votim të kryeparlamentarit. Ajo ka pretenduar përmes atij shkrimi se disa nuk votuan në seancën e së shtunës, shkruan Insajderi.
“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në Rastin Nr. KO119/14, pika 128 thotë se “Në konstituimin e Kuvendit, të gjithë deputetët duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë si të dëshirojnë, në mënyrë të hapur ose të fshehtë, të votojnë “për”, “kundër” ose të abstenojnë, dhe nuk mund të lirohen nga të vepruarit kështu.
Dje në pikën për zgjedhjen e Kryetares së Kuvendit, kishte deputetë që nuk morën pjesë fare në votim. Mosvotimi sipas këtij Akgjykimi konsiderohet shkelje. Ky veprim nuk mund të përsëritet nesër gjatë vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit“, ka shkruar ajo.
Të hënën (nesër) pritet të vazhdojë seanca konstituive nga ora 15:00. Në rend dite është votimi i kryetarit të Kuvendit, pasi që të shtunën kaloi raporti për certifikimin e mandateve të deputetëve.
Lëvizja Vetëvendosje si partia e parë e zgjedhjeve parlamentare propozoi Albulena Haxhiun si kryetare të Kuvendit, e cila s’kaloi.
Ajo mori 57 vota, mirëpo për procedimin e kryetarit të ri të Kuvendit nevojiten 61 sosh.