Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami vlerëson se nuk do të ketë krizë në koalicionin qeveritar pas vendimit të Aleancës për Shqiptarët, krahu i Arben Taravarit për të dalë e vetme në zgjedhjet për këshillat komunal. Nga ana tjetër përfundimisht nuk do të ketë bashkëpunim të koalicionin “VLEN” me ASH-në e Taravarit në zgjedhjet lokale për kryetarë të komunave.
“Ai kapitull është mbyllur, ndërsa ne si koalicion ‘VLEN’ vendosëm të shkojmë bashkë për kryetarë të komunave dhe anëtarët e këshillit dhe këshilltarët, ndërsa sa i përket krizës qeveritare, nuk ka një mundësi të tillë, Qeveria ka shumicë stabile. Edhe vetë Taravari tha se nuk është i gatshëm të dalë nga koalicioni qeveritar”, deklaroi sot nga Tetova, Bilall Kasami.
Sipas tij, shumica qeveritare mund dhe të rritet.
“Nga ana tjetër veçmë ka oferta dhe kërkesa për bisedime me faktorë të tjerë politikë nga opozita të cilët janë të gatshëm të jenë pjesë e shumicës qeveritare, kështu që vlerësoj se kjo situatë nuk do ta lëkundë Qeverinë, përkundrazi, shumica qeveritare do të jetë edhe më e madhe”, u përgjigj Kasami sot në pyetjet e gazetarëve për temat politike pas aktivitetit të organizuar nga komuna.
Ai mori pjesë në hapjen e “Info qendrës” në afërsi të sheshit të qytetit.