Shkruan: Florim Zeqa
E paprecedent është sjellja e kryesuesit të Kuvendit, por më i paprecent është abuzimi i partisë fituese, në këtë rast i Albin Kurtit me deputetin më të vjetër në Kuvend, të cilin po e dërgon në shkelje të njëpasnjëshme të Kushtetutes!
Ajo çfarë ndodhi sot është “Sui generis” i ikjes së përgjegjësisë politike nga ana e partise fituese të zgjedhjeve!
Fillimi i mbrapsht dhe vazhdimi akoma më i mbrapsht i seancës konstituive të Kuvendit
Thënë të vërtetën, nuk e kam pritur një sjellje kaq të papërgjegjshme të Albin Kurtit si fitues me 42 % të zgjedhjeve, i cili në njërën anë po sillet si ‘fitues i padiskutueshëm’ i zgjedhjeve, kurse në anën tjetër po e luan me mjeshtri ‘lojën e viktimës’!
Si kryeministër tashmë në dorëheqje, Albin Kuri po e keq-interpreton Kushtetutën për të ruajtur pozitat qeveritare, duke rrezikuar kështu themelet ligjore të procesit demokratik, madje edhe duke marrë vendime të paligjshme në mbledhjet e Qeverisë së dorëhequr!
Retorikën e “fituesit të padiskutueshëm” Albin Kurti po e përdor për të shmangur përgjegjësinë e mungesës së shumicës parlamentare në Kuvend!
Mungesa e sigurimit të 61 votave nga ana e LVV-së, përveqse shenjë e brishtësisë së pushtetit, është tregues se Kurti nuk e ka kontrollin e mjaftueshëm të skenës politike edhe pas fitores numerike!
Ish Kryeministri në detyrë, tashmë në dorëheqje, Albin Kurti mungesën e 61 votave për ta kaluar një raport të komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve në seancën konstituive të Kuvendit, po mundohet ta mbulojë më akuza për partitë e tjera jopartnere për bllokimin e seancës konstituive të Kuvendit, siq ndodhi të martën e kaluar të 15 prillit dhe vazhdimin e saj të ditës së sotme, e enjtë 17 Prill 2025.
Pse nuk nuk i pati të martën dhe as të enjtën Kurti 61 votat e nevojshme në Kuvend, përgjegjëse nuk janë partitë opozitare, në këtë rast, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja që votuan kundër këtij raporti, pasiqë ato nuk e kanë për obligim sigurimin e votave për kryeparlamentarin dhe as për Qeverinë e Re.
Zvarritjet e qëllimshme të fillimit të punës së seances konstituive (për të dytën herë) po bëhen për blerje kohe nga partia fituese, apo koalicioni LVV+G+A+N.
Bllokimi i punës së Kuvendit është një ‘Sui generis’ i paparë deri më tani i ikjes së përgjegjësisë politike nga ana e partisë fituese!
Bllokada procedurale e LVV-së për çështje krejt formale, po bëhet për përfitimin e 48 orëve të reja, për t’i ikur përballjes së votimit në Kuvend.
Duke e ndërlidhur këtë situatë paradoksale në mënyrë figurative me portretin e nobelistes “Nënë Tereza” në hollin e Kuvendit, edhe sot doli tym i zi!
Askush nuk e di edhe sa gjatë do të presin qytetarët e vendit për daljen e ‘tymit të bardhe’ nga Kuvendi i Kosovës!
Dështimi i dytë i qëllimshëm i konstituimit të Kuvendit
Ashtu siq nisi ditën e martë, edhe përfundoj ditën e enjtë seanca konstituive e Kuvendit te Kosoves. Kjo përveqse papërgjegjësi politike ndaj zgjedhësve, paraqet shqetësim për të ardhmen e vendit! Nuk ka si të jetë ndryshe, kur partia fituese sjellet më kaq papërgjegjësi ndaj rregullores së punës së Kuvendit dhe respektimit të Kushtetutës!
Qartësimi i kësaj situate është fare i thjeshtë, nëse Albin Kurti i ka votat e nevojshme le të procedoj me Seancën e Kuvendit, në të kundërtën, bën mirë të mos tallet me deputetët, por të vazhdoj tutje me konstituimin e Kuvendit ose t’iu lëshoj rrugë të tjerëve!
Derisa kjo të ndodhë, për aq kohë do të mbetemi në pritje të daljes së ‘tymit të bardhë’ nga Kuvendi!