Gërvalla: Nuk janë në mend deputetët që po refuzojnë të konfirmojnë mandatin e tyre

Deputetja e zgjedhur e VV-së, Donika Gërvalla-Schwarz pas dështimit të seancës konstituive të enjtën, ka thënë se deputetët që po refuzojnë të konfirmojnë mandatin e tyre “nuk janë në mend”, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Sipas saj, bllokada nuk duhet të jetë alternativë, pasi duhet “të ecet përpara”.

“Unë nuk dua të paragjykoj asgjë për të shtunën. Mirëpo, deputetët të cilët refuzojnë të konfirmojnë mandatin e tyre, të cilin tashmë ua ka certifikuar KQZ-ja, sinqerisht që nuk janë në mend. Sinqerisht që jo! Prandaj, duhet të hiqet dorë nga destruktiviteti. Mundësi ka për të tejkaluar situatën, ama nevojitet vullnet”

“Prandaj, bllokada nuk duhet të jetë alternativë dhe për këtë kërkoj ndihmën e opinionit publik sepse në këto kohë të vështira nëpër të cilat po kalon gjithë kontinenti ynë, nuk e kemi luksin të rrijmë dhe të diskutojmë për bllokada formale e teknike, por duhet të ecim përpara”, tha ajo përpara mediave, pas dështimit të seancës së sotme konstituive”, tha Gërvalla para gazetarëve.