Mexhiti: 229 milionë denarë për projekte mjedisore, komunat do të marrin rolin udhëheqës!

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, sot zhvilloi takim pune me kryesinë e BNJVL-së, Bashkësia e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale, në të cilin para kryesisë prezantoi në detaje Konkursin publik për financimin e projekteve në fushën e mjedisit jetësor për vitin 2025.

Në takim ministri Mexhiti theksoi rëndësinë e vetëqeverisjes lokale si shtyllë në realizimin e projekteve kyçe infrastrukturore dhe arsimore që kanë të bëjnë me mjedisin.

Përmes Programit për vitin 2025, Ministria e Mjedisit ka siguruar 229 milionë denarë, shumica e të cilave janë të destinuara për të mbështetur infrastrukturën e ujësjellësit dhe kanalizimit, fusha ku një numër i madh i komunave ende përballen me sfida serioze.

‘Komunat janë aleatët tanë më të rëndësishëm në terren. Ato i njohin më së miri problemet dhe nevojat lokale dhe për këtë ne dëshirojmë t’i mbështesim drejtpërdrejt me mjete për t’i zgjidhur ato sfida’, theksoi ministri Mexhiti.

Në takim u prezantuan kriteret, procedurat e aplikimit, si dhe mbështetja që ofron Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor për përgatitjen dhe realizimin me sukses të projekteve. U theksua se çdo komunë mund të aplikojë me një ose më shumë projekte, si dhe inkurajohen iniciativat e përbashkëta rajonale.

Përfaqësuesit e BNJVL-së shprehën gatishmërinë e tyre për informimin dhe angazhimin aktiv të komunave anëtare, si dhe interesimin e tyre për mbajtjen e sesioneve informative dhe punëtorive shtesë në periudhën e ardhshme.

Konkursi është i hapur deri më 29 prill dhe të gjitha informacionet, kriteret dhe formularët e aplikimit janë të disponueshme në faqen e internetit të Ministrisë.

Mexhiti: 229 milionë denarë për projekte mjedisore, komunat do të marrin rolin udhëheqës!