Ukraina: Rusia ka thyer armëpushimin e energjisë mbi 30 herë

Sipas Ukrainës, Rusia ka thyer armëpushimin e energjisë të mbështetur nga SHBA më shumë se 30 herë.

Në mars, një marrëveshje e ndërmjetësuar nga Uashingtoni bëri që Ukraina dhe Rusia të angazhoheshin për të mos synuar fushat e naftës, termocentralet dhe infrastrukturën tjetër kryesore të energjisë në të dy anët e kufirit të tyre të përbashkët, raporton Sky News.

Por, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Heorhyi Tykhyi, tha në një konferencë se Rusia sulmoi objektet energjetike në Kherson, Mykolaiv dhe Poltava vetëm gjatë 24 orëve të fundit.

“Ne konsiderojmë se armëpushimi i energjisë filloi më 25 mars. Fatkeqësisht, ne mund të shohim se Rusia po e shkel këtë marrëveshje pothuajse çdo ditë. Nuk ka kaluar as një muaj nga arritja e marrëveshjes, por Rusia e ka shkelur këtë marrëveshje tashmë mbi 30 herë”, ka thënë ai.