Modriç bëhet aksioner në klubin anglez Swansea: Po mendoj të ardhmen e skuadrës

Mesfushori kroat Luka Modriç ka blerë një pjesë të aksioneve të skuadrës angleze të futbollit Suonsi. 39-vjeçari ka vlerësuar maksimalisht ekipin, duke premtuar një të ardhme të ndritur.

Krahas të qenurit futbollist aktiv i Realit të Madridit edhe pse në fundin e karrierës, Luka Modric do të jetë dhe bashkëpronar skuadre, konkretisht i Swansea në kampionatin anglez. Kroati ka vendosur të blejë një pjesë të aksioneve të ekipit, ndërsa shpreson se do të ndërtohet një ekip kompetitiv.

“Kjo është një mundësi emocionuese. Swansea është skuadër me identitet, tifozë të pabesueshëm dhe ambicie për të konkurruar në nivelin më të lartë. Duke luajtur në nivelin më të lartë, besoj se mund t’i jap përvojën time klubit. Qëllimi im është të mbështes rritjen e klubit në një mënyrë pozitive dhe të ndihmoj në ndërtimin e një të ardhmeje emocionuese”, deklaroi në fjalët e para pronari Modriç.

Deri më tani nuk është bërë e ditur vlera e aksioneve që ka marrë në pronësi kroati, por nuk përjashtohet që pasi të përfundojë aventurën me madrilenët të kalojë menjëherë te skuadra e re. Aktualisht Swansea renditet në vendin e 12-të në Championshipin anglez, shumë larg garës për titullin apo rikthimin në elitë.