Haradinaj: Zgjedhjen e kryeparlamentarit s’e pengojmë, por nuk ndahemi nga opozita: Do të marrim qëndrim të përbashkët

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se partia e tij nuk do të bëjnë pengesë sa i përket votimit të kryetarit të Kuvendit, por deklaroi se do të kenë qëndrim të përbashkët edhe me PDK-në e LDK-në, shkruan gazeta online Reporteri.net.

“Ne në princip kemi thënë se jemi për konstituimin e Kuvendit, por do të marrim qëndrim të përbashkët me opozitën, nuk do të ndahemi as për kryetarin e Kuvendit. Ka deklarime se opozita nuk do të marr pjesë në votim për kryetarin e Kuvendit, por nëse ndryshon diçka sa i përket AAK-së për kryetar të Kuvendit nuk e bëjmë pengesën, sa i përket qeverisë e dini qëndrimin tonë”, ka thënë Haradinaj para mediave.

Seanca konstituive e Kuvendit ishte paraparë të niste në ora 10:00, derisa partia e parë ende nuk e ka bërë të ditur emrin e të nominuarit për kryetar të Kuvendit.

Kreu i VV-së, Albin Kurti gjatë arritjes në Kuvend nuk ka treguar nëse i kanë numrat e nevojshëm. /Reporteri.net/

Deputetët e PDK-së vijnë të parët në sallën e Kuvendit të Kosovës
15 Prill 2025 | 10:23

Sot pritet të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.

Deputetët e rinj të Partisë Demokratike të Kosovës janë parë të jenë ulur të parët në ulëset e Kuvendit, derisa ata të partive tjera s’kanë ardhur ende.

Në këtë seancë pritet të votohet Kryetari i Kuvendit të Kosovës, si dhe formimi i qeverisë së re.

/Reporteri.net/

Fatmir Limaj rikthehet “pa fjalë” në Kuvend mes spekulimeve për marrëveshje me Kurtin
15 Prill 2025 | 10:08

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, është rikthyer pas 4 vitesh në Kuvend.

Me të arritur ai nuk ka pranuar të flasë në hyrje të Kuvendit të Kosovës, për seancën konstituive. Ka thënë shkurt se sot është ditë solemne.

Rikthimi i Limajt në Kuvend ndodh mes zërave që e pozicionojnë atë si një figurë kyçe për arritjen e një shumice prej 61 ulësesh, të cilën Lëvizja Vetëvendosje po përpiqet ta sigurojë për krijimin e institucioneve të reja.

Sidoqoftë, vetëm një ditë më parë, Limaj theksoi se aktualisht nuk ekziston asnjë marrëveshje mes tij dhe VV-së.

Limaj, pak ditë pas zgjedhjeve të 9 Shkurtit kishte deklaruar se partia e tij është e gatshme të japë kontributin në procesin e krijimit të institucioneve.

Ai sot ka refuzuar të deklarohet nëse mbrëmë ka pasur takim me Kurtin.

Fatmir Limaj dhe partia e tij siguroi 3 ulëse në Kuvendin e Kosovës si pjesë e koalicionit parazgjedhor me AAK-në.