Ministri për Vetëqeverisje Lokale, Zllatko Perinski, sot realizoi një vizitë pune në Komunën e Velesit, ku u takua me kryetarin e komunës, Marko Kolev, dhe anëtarët e Këshillit komunal. Gjatë takimit u diskutua për projektet aktuale dhe të ardhshme në komunë, me theks në zhvillimin infrastrukturor, për ecurinë e projektit nga thirrja e parë qeveritare për mbështetje të projekteve infrastrukturore komunale, si dhe për të gjitha masat që Komuna do t’i realizojë në mënyrë të pavarur, por edhe me mbështetje nga pushteti qendror. Nga thirrja e parë qeveritare, Komunës së Velesit i është aprovuar një projekt, rregullimi i sheshit dhe ndërtimi i një garazhi nëntokësor në zonën qendrore të qytetit, ndërsa në thirrjen e dytë qeveritare, e cila zgjat deri më 30 prill, Komuna ka dorëzuar 16 aplikime.
Gjatë takimit u konstatua se investimi qeveritar për rregullimin e sheshit dhe ndërtimin e garazhit nëntokësor do të kontribuojë drejtpërdrejt në transformimin e pamjes urbane të Velesit, do të mundësojë hapësirë të re publike për banorët dhe do të krijojë mundësi më të mëdha për aktivitete kulturore dhe sociale. Garazhi nëntokësor do të zgjidhë problemin shumëvjeçar të parkimit në qendrën e qytetit dhe do të sigurojë një sistem komunikacioni më efikas dhe më të sigurt, që është me rëndësi të veçantë për mobilitetin urban dhe funksionimin e përditshëm të qytetarëve.
Ministri Perinski theksoi se Qeveria nuk heq dorë nga mbështetja e vazhdueshme për komunat, me një qëllim të qartë dhe unik – krijimin e kushteve për zhvillim më të madh të secilës komunë. Siç u konkludua edhe në takim, një shtet i fortë ndërtohet mbi themelet e bashkësive lokale të zhvilluara.
Vizita e sotme në Komunën e Velesit është pjesë e vizitave në terren të ministrit Perinski nëpër komuna, me qëllim të njohjes direkte dhe identifikimit të të gjitha sfidave në njësitë e vetëqeverisjes lokale dhe planifikimit të kahjes për tejkalimin e tyre.