“Shuhen shpresat”, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi zyrtarisht të ndarë

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është divorcuar zyrtarisht ditën e sotme nga Monika Kryemadhi.

Gjykata Civile vendosi në seancën e sotme për zgjidhjen martesore mes Metës dhe Kryemadhit, kërkesë e paraqitur fillimisht në gjykatë nga vetë Ilir Meta.

Në seancë është paraqitur vetë Meta i shoqëruar nga avokati i tij, ndërsa Kryemadhi nuk ka qenë e pranishme, por është përfaqësuar nga avokati Redi Llanaj.

“Nisur nga interesi i medias, ju bëj me dije si më poshtë:

Sot në datën 11.04.2025, ora 10:30, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Dhoma Civile, u zhvillua seanca e pajtimit si dhe seanca gjyqësore me objekt zgjidhje martese me paditës I.M dhe të paditur M.K, ku të pranishëm ishin paditësi dhe avokati i tij. Pala e paditur, e njoftuar nga gjykata me fletëthirje, nuk u paraqit në seancë, pa asnjë shkak ligjor, duke e lënë gjykimin në mungesë.

Në përfundim të seancës, gjykata vendosi :

Zgjidhjen e marteses midis paditesit I.M dhe te paditures M.K.”

Ilir Meta njoftoi publikisht nisjen e procedurave për divorc nga bashkëshortja e tij prej 27 vitesh më datë 20 qershor 2024, duke bërë me dije se kishte depozituar në gjykatë kërkesën për zgjidhje të martesës.

Në një deklaratë për mediat, kur Meta ishte ende i lirë, deklaroi se ai dhe ish-bashkëshortja e tij (si e ka quajtur ai) kanë ndjekur rrugën ligjore për këtë çështje dhe ka njoftuar edhe djalin e tij Besarin, i cili i ka thënë meqë keni kaq shumë tensione dhe probleme me njëri-tjetrin pse nuk gjeni një zgjidhje më të qetë dhe divorci sipas tij është zgjidhja. Shkak për ndarjen sipas ish-presidentit të vendit ishin këndvështrimi për SPAK-un.

Ilir Meta ndodhet në qelinë e burgut 313 që prej tetorit të vitit të kaluar i akzuar për veprat penale pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim të ardhurash në lidhje me dosjen CEZ DIA dhe lobimin e LSI-së në SHBA.