Siljanovska Davkova – Klakoçar Zupançiç: Sllovenia do të mbetet mbështetëse e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj drejt BE-së

Përpjekje për nxitje të unitetit rajonal, ruajtje të bashkëpunimit të mirë ekonomik dhe mbështetje e fuqishme e integrimev evropiane të Maqedonisë, u theksuan në takimin e sotëm të presidentes Gordana Siljanovska-Davkova me kryetaren e Kuvendit të Republikës së Sllovenisë, Urshka Klakoçar Zupançiç, e cila ndodhet për vizitë pune në vend.

Sllovenia ka qenë dhe do të mbetet përkrahës dhe mik i ynë në rrugën drejt BE-së, sepse aty e kemi vendin, theksoi presidentja Siljanovska-Davkova.

Siç theksojnë nga Kabinet i presidentes, ajo shprehu falënderim për ndihmën dhe mbështetjen që Sllovenia ka dhënë pas ngjarjes tragjike në Koçan, e cila, siç thonë ata, dëshmon për miqësinë e fortë.

Ajo gjithashtu u falënderua për mbështetjen e vazhdueshme në procesin e maratonës sonë të integrimit evropian.

Duke theksuar qëndrimin e saj për domosdoshmërinë e respektimit të kritereve të Kopenhagës, Siljanovska-Davkova shprehu skepticizëm se po respektohen dokumentet kushtetuese të BE-së.

Të dyja shprehën kënaqësinë për bashkëpunimin dhe partneritetin dypalësh në nivel shumëpalësh, i cili ndër të tjera bazohet në aleancën e NATO-s, angazhimet e përbashkëta për paqen dhe stabilitetin në rajon, si dhe faktin se nuk ka asnjë çështje të hapur mes dy vendeve.

Kryetarja e Kuvendit të Sllovenisë e rikonfirmoi mbështetjen e saj, duke theksuar se BE-ja është e paplotë dhe e papërfunduar pa të gjithë popujt evropianë. Ajo shprehu mirëkuptim për frustrimin e qytetarëve të Maqedonisë për shkak të stërzgjatjes së procesit të integrimeve evropiane dhe për frikën e vendosjes së pengesave të reja përkundër shumë lëshimeve të bëra nga pala maqedonase.

Bashkëbiseduesit, siç theksohet në kumtesën, janë pajtuar që politika e zgjerimit të BE-së të mos jetë e dyanshme dhe të ketë kritere dhe precedentë të veçantë, pasi kjo do të reflektonte edhe te kandidatët e ardhshëm.