Konjufca: S’i kemi arritur qëllimet, nuk është e mundshme ta bëjmë të vetëm qeverinë

Kryetar i Kuvendit në detyrë, Glauk Konjufca ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje ka pasur qëllim që të qeverise vet, por pas zgjedhjeve e ka parë që nuk ka mbërritur qëllimin.

Sipas tij, LVV do ta ketë të pamundshme të qeverisë pa formuar një koalicion dhe tani janë në skenarin B.

“Vetëvendosja e ka pas pozicionin transparent gjatë zgjedhjeve. Kemi thënë se qëllimi im ka qenë me vazhdu një qeverisje siç e kemi, mundësisht pa partitë tjera opozitare e pastaj e merr rezultatin e zgjedhjeve edhe e sheh që nuk e ke mbërri atë qëllim. Kjo është demokracia. E ke pas një qëllim dhe nuk ke mbërritur atë. E pastaj e modifikon rrugës. S’është mëkat kjo demokraci. E vendos një qëllim – nuk e kemi arritur. S’i kemi arritur qëllimet dhe tash jemi në skenarin B. Është rasti më normal i mundshëm”, ka thënë ai pas mbledhjes me subjektet politike. ‘Kemi thënë qëllimi është ta bëjmë të vetëm qeverinë. A është e mundshme kjo? Mua nuk po më duket e mundshme”.

Konjufca për letrën e Albin Kurtit drejtuar kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikut, ka thënë se në fund të fundit, pavarësisht gjuhës së fushatës, interesat e shtetit vendosen përpara.

“Sa i përket letrës, me sa kam njohuri unë, i është drejtuar nga ana e kryeministrit vetëm Lidhjes Demokratike të Kosovës, kurse gjuhën që do ta përdorim, gjithmonë do të jetë një gjuhë e bashkëpunimit, e partneritetit, sepse ju mund ta merrni parasysh, mund ta merrni me mend, tensionet dhe polarizimet e mëdha që ndodhin gjatë fushatës e të cilat i kemi pasur edhe gjatë legjislaturës së tetë, por në fund të fundit të gjithë zgjohemi një mëngjes e shohim cili është rezultati i zgjedhjeve dhe e kuptojmë që politika nuk ndërtohet mbi urrejtjen dhe dashurinë, nuk është as urrejtje, as dashuri politika – politika është me i kuptu interesat por interesat të cilat i përfaqësojmë nuk janë tonat personale – janë të Republikës së Kosovës”.

Ai ka treguar se partia në pushtet ende nuk e ka propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit të Kosovës.

“Sa i përket kryetarit të Kuvendit, VV-ja ende nuk e ka dhënë emrin. Kjo me siguri mendoj që të gjitha pozitat sa i përket përbërjes së re të mazhorancës, e cila do të shndërrohet në qeveri, i nënshtrohen disa principeve, e një prej tyre është përpjekje me themelu qeverinë. Kuvendi nuk është qëllim në vetvete, Kuvendi themelohet me i zgjedhë institucionet e tjera, më e rëndësishmja është ekzekutivi i cili qeverisë shteti”, ka thënë Konjufca.