Kryeparlamentari në detyrë, Glauk Konjufca pas takimit me partitë politike ku u diskutua për seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, ka deklaruar se LVV ende nuk e ka caktuar emrin e kryeparlamentarit të ardhshëm.
“Sa i përket kryetarit të Kuvendit, LVV ende nuk e ka dhënë emrin e kryetarit të Kuvendit kjo për arsye se mendoj se të gjitha pozitat sa i përket përbërjes së re të mazhorancës që pastaj do të shndërrohet në qeveri, i nënshtrohen disa principeve e njëri prej tyre është përpjekja për të themeluar Qeverinë”, tha Konjufca.
Konjufca tha se Lëvizja Vetëvendosje do ta ketë të pamundshme të qeverisë pa formuar një koalicion. Ai ka thënë se VV-ja nuk ka arritur qëllimin që të qeverisë e vetme dhe se tash i duhet të modifikojë rrugën për të arritur pushtetin.
“Vetëvendosja e ka pas pozicionin transparent gjatë zgjedhjeve. Kemi thënë se qëllimi im ka qenë me vazhdu një qeverisje siç e kemi, mundësisht pa partitë tjera opozitare e pastaj e merr rezultatin e zgjedhjeve edhe e sheh që nuk e ke mbërri atë qëllim. Kjo është demokracia. E ke pas një qëllim dhe nuk ke mbërritur atë. E pastaj e modifikon rrugës. S’është mëkat kjo demokraci. E vendos një qëllim – nuk e kemi arritur. S’i kemi arritur qëllimet dhe tash jemi në skenarin B. Është rasti më normal i mundshëm”, ka thënë ai pas mbledhjes me subjektet politike. “Kemi thënë qëllimi është ta bëjmë të vetëm qeverinë. A është e mundshme kjo? Mua nuk po më duket e mundshme”..
Konjufca ka përmendur se kryetari i LVV-së, Albin Kurti deri më tash i ka dërguar ftesë për takim vetëm kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“Letra i është drejtuar vetëm LDK-së, kurse gjuhën që do ta përdorim do të jetë një gjuhë e bashkëpunimit e partneritetit. Mund ta merrni me mend tensionet dhe polarizimet e mëdha që ndodhin gjatë fushatës, por në fund të fundit të gjithë zgjohemi një mëngjes dhe e shohim se cili është rezultati i zgjedhjeve dhe e kuptojmë se politika nuk ndërtohet mbi urrejtjen e dashurinë”, tha Konjufca.
Ai shtoi se politika është me i kuptua interesat, që të cilat i përfaqësojmë nuk janë personale por interesat e Republikës.
Konjufca tha se ka pasur gjuhë të ashpër edhe nga ana e opozitës në drejtim të tij, por që nuk i ka ngelur “hatri”
“Nuk më ka mbetur hatri prej atyre shprehjeve dhe ia zgjati dorën e bashkëpunimit secilit që mund të pajtohemi se mund të bëjmë diçka bashkë për shtetin e Kosovës”, tha Konjufca.