Turqia e dëbon gazetarin e BBC-së që i mbuloi protestat antiqeveritare, Mark Lowen

Autoritetet turke të enjten e dëbuan gazetarin e BBC-së, Mark Lowen, pasi e kishin ndaluar atë për 17 orë dhe pasi e cilësuan “kërcënim ndaj rendit publik”.

Lowen-i ndodhej në Turqi për t’i mbuluar protestat masive në rrugë, të cilat u nxitën nga arrestimi dhe burgosja e kryetarit të Stambollit, Ekrem Imamoglu, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Shefja ekzekutive e “BBC News”, Deborah Turness, e quajti dëbimin e gazetarit “tepër shqetësues” dhe tha se televizioni do ta ngrejë këtë çështje tek autoritetet turke.

Lowen-i, i cili më parë kishte jetuar në Turqi për pesë vjet, tha se dëbimi i tij është “tepër shqetësues”, duke shtuar se liria e mediave është thelbësore për demokracinë.

Imamoglu, rivali më i madh politik i presidentit Rexhep Erdogan dhe i cili po del para tij në disa sondazhe, u burgos të dielën, në pritje të gjykimit për akuzat për korrupsion, të cilat ai i ka mohuar.

Imamoglu dhe përkrahësit e tij thonë se arrestimi i tij është i motivuar politikisht dhe antidemokratik, pohim që kundërshtohet nga qeveria e Erdoganit.

Ndërkohë, autoriteti turk i mediave, Këshilli Suprem i Radios dhe Televizionit (RTUK), u shqiptoi gjoba katër televizioneve për mbulimin që lidhej me arrestimin e Imamoglut, tha një anëtar i këtij këshilli.

Masa ndëshkuese iu shqiptuan programeve të transmetuara në kanalet pro-opozitare, SZC TV, Tele1, Halt TV dhe NOW TV, nën akuzat për shkelje.

Për më tepër, televizioni SZC TV u urdhërua që ta ndalte transmetimin për dhjetë ditë, ndërsa RTUK-ja paralajmëroi se një shkelje e tretë do të mund të rezultonte në shfuqizimin e licencës.